“12 miljet në detin Jon”; Projektligji i parë që miratohet në parlamentin e Greqisë për këtë vit
Projektligji i parë në parlament për 2021 ai i 12 miljeve. Me një lëvizje simbolike më shumë kuptime kërkon të fillojë vitin 2021 Athina zyrtare duke sjellë në parlament për të diskutuar dhe miratuar si projektligj të parë për këtë vit, atë të zgjerimit nga 6 deri në 12 milje të ujërave detare në detin Jon.
Lajmin e publikon gazeta “To Vima” e cila duke ju referuar burimeve qeveritare thekson se projektligji në fjalë është një mesazh i qartë dhe i fuqishëm ndaj Ankarasë. Ajo që ende nuk është sqaruar është nëse me fillimin e punimeve të parlamentit në 11 janar, ky projektligj do të ratifikohet me procedurën urgjente.
Hapi i parë për zgjerimin e ujërave detare në këtë zonë është bërë një javë më parë kur është publikuar në fletoren zyrtare të qeverise hyrja në fuqi e dekretit Presidencial për mbylljen e gjireve dhe zbatimin e parimit të vijës së drejtë në këto gjire në rajonin e Detit Jon, të ishujve veriore të tij e deri në Kepin Tainaro në Peloponez.
Në këtë dekret bëhen të qarta koordinatat gjeografike për mbylljen e 39 gjireve dhe limaneve të vogla në Greqinë Perëndimore dhe në shtatë ishujt e mëdhenj të Jonit , në përputhje me nenin 10 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit (UNCLOS), dmth gjiret e hapura deri në 24 milje detare.
Siç thekson gazeta tjetër “Ta Nea”, këto janë të ashtuquajturat “gjire juridike”, me shembuj tipikë Gjirin e Korfuzit, Gjiri Amvrakikos dhe Gjiri Mesiniakos. Për më tepër, është zbatuar parimi i vijës së drejtë edhe tek 10 pika në përputhje me nenin 7 të UNCLOS që sqaron se ky parim mund të zbatohet edhe në ato zona ku vija bregdetare është e paqëndrueshme me thyerje të relievit të saj apo ka ishuj pranë saj.
Zgjerimi i zonës bregdetare në Detin Jon cilësohet si një hap i rëndësishëm për përcaktimin e kufijve detare mes Greqisë dhe Shqipërisë, vetëm disa muaj pasi Athina ka nënshkruar marrëveshjet përkatëse me Romën dhe Kajron.
Gjithashtu ky zhvillim i hap rrugën dy vendeve të procedojnë siç kanë rënë dakord me apelim në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, hap që pritet të ndodhë pas zgjedhjeve në Shqipëri, me fillimin e konsultimeve për hartimin e marrëveshjes kornizë që do i paraqitet kësaj gjykate.
Nga ana tjetër diplomacia greke kërkon ta përdorë apelimin bashkë me Shqipërinë në Hagë, si një një model për zgjidhje të mosmarrëveshjeve Greko-Turke, larg tensioneve dhe kërcënimeve./tch
Fraksion.com