Tërmete të reja në Kroaci
Një seri tërmetesh tronditën Kroacinë qendrore të mërkurën, një ditë pasi një tërmet me fuqi prej 6.4 shkallësh la pas vetes të paktën shtatë të vdekur, dhjetëra të plagosur dhe disa qytete e fshatra të rrënuara.
Lëkundja më e fortë, me fuqi prej 4.7 shkallësh u regjistrua të mërkurën herët në afërsi të qytetit të dëmtuar rëndë, Petrinja, rreth 40 kilometra në juglindje të kryeqytetit kroat, Zagreb.
Shumë njerëz e kaluan natën në tenda, në makinat e tyre apo në kazermat ushtarake.
Shiu që ra gjatë natës në zonë e ktheu pluhurin nga rrënojat në baltë, duke e bërë situatën edhe më të vështirë.
Ekipet e shpëtimit kaluan natën duke kërkuar nëpër rrënojat e ndërtesave të dëmtuara rëndë në kërkim të të mbijetuarve të mundshëm.
Zyrtarët thanë se një vajzë 12-vjeçare vdiq në Petrinja, një qytet me rreth 25 mijë banorë.
Pesë viktima të tjera u gjetën në një fshat afër Glinës që ishte dëmtuar rëndë.
Më pas ekipet e shpëtimit thanë se e gjetën viktimën e shtatë në rrënojat e një kishe në fshatin Zazina.
Të paktën 26 persona po trajtohen në spitale.
Tërmeti i së martës, i cili ishte më i fuqishmi në Kroaci që nga futja në përdorim të sistemit modern të matjes sizmike, u ndje në të gjithë rajonin, duke përfshirë Bosnjën, Serbinë dhe Slloveninë fqinje, e cila mbylli centralin e vetëm bërthamor në Kërshko si një masë paraprake.
Të hënën, një tërmet me magnitudë 5.2 goditi Kroacinë qendrore, gjithashtu pranë Petrinjës.
Kosova e gatshme të ndihmojë Kroacinë
Në Kosovë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, shprehën gatishmërinë për të mbështetur Kroacinë në përballjen me pasojat e tërmetit.
Osmani i shkroi presidenti kroat, Zoran Milanoviç, duke i ofruar mbështetje përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës.
As Croatia and its people face the aftermath of consecutive earthquakes, in my capacity as the Commander-in-Chief of the Kosovo Security Forces, I extended our support to 🇭🇷 President, HE Zoran Milanović as and when required.
⬇️ The letter sent today. pic.twitter.com/9lXUbsWGbj— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) December 29, 2020
Shqipëria 250 mijë euro ndihmë për Kroacinë
Kryeministri Edi Rama njofton se Shqipëria do të ndihmojë Kroacinë pas tërmetit të djeshëm me 250 mijë euro.
Kryeministri Rama thotë se sapo e ka firmosur këtë vendim, ndërsa ka publikuar dhe një foto:
Sapo nënshkrova dekretin e Qeverisë së Shqipërisë për të dhuruar 250 mijë EURO Kroacisë për të ndihmuar rilindjen e Petrinja pas tërmetit shkatërrues! # Kroacia është një shembull i rezistencës dhe një model për ne në transformimin e saj të mahnitshëm në një vend krenar të BE-së.
Në mars, një tërmet me magnitudë prej 5.3 shkallësh tronditi Zagrebin, duke shkaktuar një të vdekur dhe duke plagosur 27 të tjerë.
Fraksion.com