AktualitetBota+Të fundit

Raportohet rasti i parë i llojit të ri të Covid-19 në SHBA

Rasti i parë i raportuar në Shtetet e Bashkuara i variantit të ri të COVID-19 që është parë në Britani, është zbuluar në Kolorado, njoftoi të martën guvernatori i këtij shteti, Jared Polis.

Varianti i koronavirusit u zbulua në një djalë në të 20-at, i cili është në vetizolim në juglindje të Denverit dhe nuk ka bërë udhëtime kohët e fundit, thanë zyrtarët shtetërorë të shëndetit.

Laboratori shtetëror i Kolorados konfirmoi variantin e virusit dhe i njoftoi për rastin Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Shkencëtarët në Britani besojnë se varianti i ri i virusit është më ngjitës sesa llojet e identifikuara më parë të SARS-CoV-2. Vaksinat që jepen tani mendohet të jenë efektive kundër variantit të ri të Covid-19, thanë zyrtarët shëndetësorë të Kolorados në një njoftim për shtyp.

Zyrtarët e shëndetit publik po hetojnë raste të tjera të mundshme dhe po merren me gjurmimin e kontakteve për të përcaktuar nivelin e përhapjes së variantit të virusit në të gjithë shtetin.

“Ka shumë gjëra që nuk i dimë për këtë variant të ri të COVID-19, por shkencëtarët në Britani po paralajmërojnë botën se ai është shumë më ngjitës se llojet e tjera. Shëndeti dhe siguria e banorëve të Kolorados është përparësia jonë kryesore, dhe ne do të monitorojmë nga afër këtë rast, si dhe të gjitha të dhënat e tjera rreth COVID-19”, tha guvernatori Polis.

Zoti Polis dhe zyrtarët shtetërorë të shëndetit pritet të bëjnë komente publike të mërkurën.

Zbulimi i variantit të ri detyroi Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve të nxjerrë rregulla të reja në Ditën e Krishtlindjes për udhëtarët që mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara nga Britania, duke kërkuar që ata të tregojnë prova të një testi negativ të COVID-19.

 

Fraksion.com