AktualitetTë fundit

Në Janar nis vaksinimi, Shqipëria dakordësohet me Pfizer! Kontrata dhe aprovimi nënshkruhen ditët e para të vitit të ri

Kryeministri Edi Rama, ka bërë sot me dije se është dakordësuar në parim kontrata me Pfizer për të nisur vaksinimin në Shqipëri në muajin Janar.

Në ditët e para të vitit të ri, pritet të nënshkruhet zyrtarisht kontrata mes Qeverisë Shqiptare dhe Pfizer dhe njëkohësit të kryhet edhe aprovimi i vaksinës kudër koronavirusit, që ka një efikasitet mbrojtës prej 95%.

Pavarësisht se Shqipëria ishte bërë me kohë pjesë e aleancës së OBS, COVAX, ku vendi ynë ka kryer edhe parapagimin, duket se kompania Pfizer dhe Moderna nuk kanë nënshkruar kontrata me COVAX, duke i lënë vendet e Ballkanit jashtë skemës së vaksinimit.

Ajo që kemi parë në ditët e fundit ka qenë nisja e fushatës së vaksinimit në të gjitha vendet anëtare të BE, por jo në vendet e Ballkanit. Kjo ka bërë që Kryeministri Edi Rama të ndërmerrte në fillim të dhjetorit një vizitë në New York, ku i vetmi takim i shefit të qeverisë shqiptare ishte ai me Presidentin e Pfizer, Albert Bourla. Dhe duket se është pikërisht ky takim që ka sjellë dakordësinë mes Shqipërisë dhe gjigantit të farmaceutikës amerikane, duke mundësuar kështu fillimin e vaksinimit në Shqipëri në mesin e muajit Janar.

Në fakt, mungesa e vaksinës ka sjellë debate të ashpra edhe brenda Bashkimit Europian, ku ditët e fundit Gjermania dhe disa vende anëtare kanë shkëmbyer akuza të forta, duke marrë shkas nga lajmi se Gjermania përveç dozave që do të përfitojë përmes Komisionit Europian, ka nënshkruar edhe kontrata të drejtpërdrejta me kompaninë Pfizer. Të lënë pas dore nga Komisioni Europian edhe pse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një popullsi shumë të vogël krahasuar me disa nga vendet anëtare të BE me peshë më të madhe edhe Shqipëria është detyruar të negociojë drejtpërdrejtë me Pfizer, një negociatë kjo shumë e vështirë sipas burimeve pranë qeverisë shqiptare, duke qenë se kërkesa sot në treg është shumë herë më e madhe se aftësitë prodhuese të Pfizer.

Por ajo çka është e rëndësishme është se në muajin Janar edhe Shqipëria do të nisë fushatën e vaksinimit, pa qenë e varur nga donacionet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ndërkohë që pas muajit Shkurt doza më të mëdha vaksinash do të fillojnë të furnizohen edhe nga mekanizmi Covax.

Burime nga qeveria bëjnë me dije se zyrtarët  shqiptarë janë në negociata edhe me Astra Zeneka, vaksina e të cilëve u aprovua sot në Mbretërinë e Bashkuar.

 

Fraksion.com