AktualitetPolitikëTë fundit

Mesazhi i Ramës: Përulem me respekt e mirënjohje ndaj çdo shqiptari

“Të gjithë njerëzit që sot punojnë kaq shumë në Shqipëri e të gjitha familjet e tyre dua t’i falënderoj me mirënjohje nga zemra për gjithçka më japin dhe gjithçka i japin këtij vendi dhe t’ju uroj një Vit të Ri siç ua do zemra e siç, padyshim, e meritojnë të gjithë”.

Me këto fjalë iu drejtua sot Kryeministri Edi Rama të gjithë shqiptarëve në prag të festës së Vitit të Ri.

Në videon e publikuar me pamje nga ngjarjet që e karakterizuan këtë vit të vështirë, me pasojat e tërmetit të nëntorit 2019, si dhe pandeminë COVID-19, Kryeministri Rama shprehet se “në mbyllje të këtij viti të jashtëzakonshëm në historinë e jetës sonë, përulem me respekt e mirënjohje ndaj çdo shqiptari, që me rezistencën e me punën e tij i dha përpjekjes sonë karakterin e saj të fortë përballë sfidash kaq të mëdha, ndërsa mua vetë më dha me forcën e shembullit, energjinë e kurajon për t’u zgjuar çdo ditë me dëshirën e madhe që të jap gjithçka mundem, për Shqipërinë e për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi”.

“Të gjithë mendojnë që bëjnë punën më të vështirë. Edhe unë mendoj që kjo punë që bëj është puna më e vështirë. Unë punoj shumë. Problemet që duhen zgjidhur çdo ditë janë të pafundme. Lëre pastaj bum tërmeti, bam Covid-i. Çfarë sfidash! Por prapë se prapë, puna më e vështirë është puna e atyre që duhet të vrapojnë për të dhënë ndihmën e parë për njerëzit në rrezik jete, madje nën rrënojat e tërmetit”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë shprehet se “puna më e vështirë është në duart e atyre që ndërtojnë shtëpitë dhe shkollat, në të nxehtë e në të ftohtë, ditën e natën, për të kthyer sa më parë familjet në shtëpi dhe fëmijët në shkollën e tyre. Puna më e vështirë është puna pa orar dhe pa të diela pushim, e mjekëve, infermierëve, punonjësve të kujdesit shëndetësor që tash sa kohë, thuajse qysh se s’mbahet mend luftojnë kundër Covidit”.

“Puna më e vështirë është puna e shqiptarëve të zakonshëm që jetojnë dhe punojnë duke mbajtur familjet e tyre edhe në këtë kohë kaq të jashtëzakonshme pandemie apo rimëkëmbjeje pas tërmetit. Puna më e vështirë është e prindërve që luftojnë për t’u dhënë fëmijëve të tyre një të ardhme të sigurt në një Shqipëri të fortë dhe të shëndetshme. Shembulli i tyre ma bënë punën time më të lehtë. Ata janë arsyeja pse unë zgjohem çdo mëngjes me një dëshirë kaq të madhe për t’ju ftuar që të bëni më të mirën çdo ditë për vendin tonë, për njerëzit tanë, për një jetë më të mirë dhe një të ardhme më të ndritshme”, – theksoi Rama.

 

Fraksion.com