AktualitetPolitikëTë fundit

Emërimi i Xhaçkës si ministre e Jashtme; Pompeo: Mirëpresim bashkëpunimin e mëtejshëm me të për të zgjeruar lidhjet SHBA-Shqipëri

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo përshëndeti sot emërimin e Olta Xhaçka si ministre e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Pompeo tha se Xhaçka ka qenë një partnere e fortë në rolin e saj të mëparshëm si ministre e Mbrojtjes.

Pompeo më tej u shpreh se, shpresojmë që të punojmë me të për të zgjeruar lidhjet SHBA-Shqipëri ndërsa Shqipëria përparon drejt BE.

“Kënaqësi të dëgjoj për emërimin e Olta Xhaçka si ministrja e re e Jashtme e Shqipërisë. Ka qenë një partnere e fortë në rolin e saj të mëparshëm si Ministre e Mbrojtjes, ndaj mirëpresim bashkëpunimin e mëtejshëm me të për të zgjeruar lidhjet SHBA-Shqipëri ndërsa Shqipëria përparon drejt BE”, u shpreh Pompeo në reagimin e tij.

Kryeministri Edi Rama emëroi dje Olta Xhaçkën në detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, pas dorëheqjes së ministrit në detyrë, Gent Cakaj.

Ministrja aktuale e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila është emëruar si ministre e re e Punëve të Jashtme ka falënderuar Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo për fjalët e tij.

“Faleminderit Sekretari Pompeo! Këto fjalë me të vërtetë nënkuptojnë shumë! Jam krenare për miqësinë midis vendeve dhe njerëzve tanë, thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e SHBA ndaj Shqipërisë, dhe jam e lumtur që mund të luaj një rol modest për ta bërë partneritetin tonë më të fortë!”, shprehet Xhaçka.

“Pres që të punojmë ngushtë me SHBA në zgjerimin dhe konsolidimin e partneritetit tonë strategjik më tej!”, vijon Xhaçka.

Xhaçka gjithashtu i ka uruar Vitin e Ri dhe ditëlindjen Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

“Z. Sekretar, më lejoni t’ju uroj një Vit të Ri dhe një ditëlindje shumë të lumtur!”,  tha Xhaçka.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com