Tërmeti në Kroaci; Politika shqiptare mesazhe solidariteti
Presidenti Ilir Meta shprehu trishtimin për tërmetin e rëndë, që goditi sot Kroacinë mike.
“Solidaritet njerëzor me popullin dhe autoritetet kroate, me urimin për ta përballuar me të gjithë forcën këtë situatë të vështirë dhe lehtësuar dhimbjen e familjeve, që kanë humbur të dashurit e tyre. Pranë Kroacisë, me të gjithë kapacitetet tona të mundshme, si partnerë strategjikë, krah për krah në çdo sfidë”, tha Meta.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i dërgoi sot një letër Kryetarit të Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandroković, në të cilën i shpreh solidaritetin dhe mbështetjen për përballimin e pasojave të tërmetit të ditës së sotme.
“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal ju shpreh solidaritetin dhe mbështetjen për përballimin e pasojave të tërmetit të 29 dhjetorit, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale në qytetin Petrinja. Ne shqiptarët sepse i kemi ende të freskëta pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe e dimë mirë çdo të thotë të goditesh nga një tërmet i fuqishëm. Shpreh bindjen se populli mik kroat dhe banorët e qytetit të Petrinjës do t’í përballojnë me sukses pasojat dhe vështirësitë e krijuara nga tërmeti, kjo sfidë e natyrës”, shkruan Ruçi.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama tha se “Shqipëria i është pranë me zemër Kroacisë mike e do të japë ndihmën e saj modeste për shërimin e plagës së hapur nga tërmeti i fortë”.
“U kam përcjellë sot shprehjen e solidaritetit vëllazëror Presidentit Milanoviç dhe Kryeministrit Plenkoviç, për fatkeqësinë mbi qytetin Petrinja”, tha Rama.
Një tërmet me magnitudë 6,3 ballë të shkallës Rihter tronditi sot Kroacinë, njoftoi Qendra Sizmologjike Europiano-Mesdhetare.
Tërmeti u ndje edhe në Itali, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë.
Qyteti më i prekur është ai i Petrinjës, me ndërtesa të rrëzuara dhe me linja elektrike dhe telefonike të ndërprera.
Fraksion.com