SHBA, McConnell shtyn votimin për pagesat ndaj familjeve për COVID-in
Udhëheqësi i shumicës së Senatit amerikan Mitch McConnell të martën i kërkoi Senatit të anashkalojë veton e Presidentit Donald Trump ndaj një projektligji prej 740 miliardë dollarësh për politikat e mbrojtjes, duke thënë se plani i financimit të ushtrisë amerikane nuk mund të lejohet të dështojë.
Senati u mblodh të martën në një sesion të pazakontë fundviti për të diskutuar nëse do të anashkalohet vetoja e Presidentit dhe për të peshuar nëse do të rritet stimuli i drejtpërdrejtë financiar për amerikanët e goditur nga pandemia.
Disa orë para kësaj, Presidenti Trump kritikoi udhëheqësit e Partisë së tij Republikane në Twitter, duke i quajtur ata “të dobët” dhe “të lodhur”, një përpjekje e dukshme kjo për të bërë që Senati të rrisë ndihmën pët pandeminë nga 600 në 2,000 dollarë dhe të mbështesë veton e tij ndaj projektligjit të mbrojtjes.
McConnell, kreu i shumicës republikane në Senat, refuzoi të shtronte për shqyrtim kërkesat e zotit Trump për projetligjin e mbrojtjes.
“Për burrat dhe gratë trime të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, dështimi thjesht nuk është një alternativë,” tha ai. “Pra, kur na takon neve në Kongres për t’u dalë atyre në krah, edhe në këtë rast dështimi nuk është një alternativë. Unë do t’i nxisja kolegët e mi të mbështesin këtë legjislacion edhe një herë, kur të votojmë nesër.”
Megjithatë, senatori McConnell u përpoq të bënte kompromis me kërkesat e tjera të Presidentit Trump. Ndonëse bllokoi shqyrtimin menjëherë të një projektligji për të rritur pagesat e ndihmave nga 600 në 2,000 dollarë për familjet amerikane, ai la të kuptohej se Senati të paktën do të shqyrtonte çështjet e ngritura nga zoti Trump: vënien e kufizimeve ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë dhe integritetin e zgjedhjeve.
“Këtë javë Senati do të fillojë një proces për të sjellë në vëmendje këto përparësi,” tha ai.
Me afrimin e festës së Vitit të Ri dhe me Kongresin e ri që do të bëjë betimin të dielën, ligjvënësit kanë shumë pak kohë për të vepruar.
Një paketë e kombinuar që përfshin 892 miliardë dollarë për koronavirusin dhe 1.4 trilion dollarë shpenzime buxheti dhe që presidenti Trump i ktheu në ligj të dielën, përmban 600 dollarë pagesa për familjet e goditura rëndë nga koronavirusi.
Republikanët në Kongres në shumicën e tyre i kanë qëndruar në krah presidentit Trump gjatë katër viteve të trazuara, gjatë të cilave ai u bë fokusi i një hetimi për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-s dhe u vu në shënjestër të kritikave për mënyrën e trajtimit të pandemisë së koronavirusit, që ka vrarë 333,000 njerëz në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Trump, i cili duhet të largohet nga Shtëpia e Bardhë pas 22 ditësh, është i zemëruar që ligjvënësit e partisë së tij nuk e kanë mbështetur plotësisht në pretendimet e tij për mashtrim zgjedhor që ai thotë se i solli humbjen në zgjedhjet e nëntorit ndaj demokratit Joe Biden.
Fraksion.com