AktualitetPolitikëTë fundit

Brenda janarit nis vaksinimi antiCOVID, të parët mjekët dhe infermierët

Kryeministri Rama deklaroi sot në konferencën e fundvitit me gazetarët se vaksinimi antiCOVID, do të nisë brenda janarit dhe të parët që do të vaksinohen janë mjekët dhe infermierët.

“Do të fillojmë vaksinimin brenda janarit dhe unë kam tendencën të besoj se ne që në mes të janarit të jemi në gjendje të fillojmë vaksinimin duke bërë të njëjtën gjë që bëjnë të gjithë. Në radhë të parë do vaksinohen mjekët dhe infermierët, më pas me duke u shtrirë në grupet e tjera vulnerabël, mësuesit, punonjësit e policisë dhe sigurisht ata që janë më të moshuarit”, tha Rama.

“Jemi në diskutime edhe me Astrazeneca-n edhe me Moderna-n dhe besojmë që shumë shpejt do të finalizojmë marrëveshjen me Pfizer e cila lidhet me kapacitetet që janë në shtete të ndryshme”, theksoi Rama.

“Kjo mbetet në këtë fazë në një punë intensive diplomatike komunikimi në të katër anët. Nuk ka ekzistuar as në ditën e parë asnjë mundësi për të lidhur kontrata direkte, të palidhura me strategjinë e përgjithshme dhe të gjitha ata që kanë akses kanë hyrë në kornizën e strategjisë së përgjithshme”, vijoi kryeministri.

Kryeministri Rama bëri me dije përpjekjet e vazhdueshme për të siguruar vaksinën duke theksuar se kërkesa është më e lartë sesa oferta.

“Dua t’ju informoj që jemi në përpjekje intensive për vaksinën. Më vjen keq kur dëgjoj lloj- lloj hamendjesh dhe teorish në mënyrë të përditëshme sepse faktikisht situata e përgjithshme është shumë domethënëse sa i përket një ngërçi të përgjithshëm në raportin mes kërkesës dhe ofertës. Mbani parasysh një shifër se mbase ju ndihmon për të kuptuar të gjithë panoramën. Italia e cila ka nisur vaksinimin 4 ditë më parë, ka në dispozicion sot që flasim 9700 vaksina. Kjo ka qenë pjesa e parë e dozave që ka marrë Italia, vendi i BE-së, me një popullsi të konsiderushme. Ka nisur vaksinimi me 9700 doza. Çka ka ndodhur në nivelin europian është se e gjithë partia e parë e dozave të disponueshme që janë shumë herë më pak se nevoja e përgjithshme është ndarë mes vendeve të BE-së dhe u është lënë vendeve që të negociojnë me vende palë të tjera për të ndarë nga paketa e tyre”, u shpreh Rama.

“Dua t’ju bëj me dije që kompanitë duke filluar nga Pfizer bëjnë marrëveshje të cilat sidoqoftë janë të lidhura me shtetet, pra nuk ka një marrëveshje tani që bëhet drejtpërdrejtë me kompaninë dhe në mënyrë bilaterale ti blen sipas asaj që ofron. Por marrëveshja është e lidhur me shtetet me të cilat Pfizer ka vendosur vijat e para të komunikimit dhe kur them shtetet kam parasysh BE-në si një entitet i tërë”, deklaroi Rama.

“Nga ana tjetër, kini parasysh që SHBA ku është edhe baza më e madhe prodhuese, ka një ndalesë me një akt të presidentit të SHBA-së që asnjë dozë nuk mund të dalë bnga SHBA dhe i gjithë ky ngërç i takon vetëm fazës së parë të fillimit sepse prodhimi do të rritet në mënyrë eksponeciale në muajt në vijim”, vijoi kryeministri.

“Ne jemi shumë pranë finalizimit të një marrëveshjeje të shkruar për të cilën kemi filluar të punojmë që nga takimi në Nju Jork me shefin e madh të kompanisë dhe ekipi ynë bashkë me përfaqësuesit e Pfizer çon dhe merr drafte ndërkohë që nga ana jonë ne punojmë politikisht dhe diplomatikisht për të siguruar harmonizimin mes gatishmërisë së Pfizer për të dhënë dozat dhe gatishmërisë së një vendi apo një vendi tjetër për të hapur rrugën se ndryshe nuk funksionon”, sqaroi Rama.

“Të gjitha vendet po marrin dozat e para për të filluar me mjekët dhe infermierët dhe ata që janë më të moshuarit fare por në krahasim me nevojat që kanë, janë ku e ku”, theksoi Rama duke shtuar se “kjo situatë do të fillojë të lehtësohet në shkurt dhe do të jetë shumë më e lehtë në tremujorin e dytë të vitit”.

“Megjithatë, ambicia ime dhe objektivi ynë është që ne të mos jemi asnjë minutë mbrapa të tjerëve, duke hyrë në këtë proces, duke filluar vaksinimin e grupeve të para menjëherë brenda muajit janar. Këtu do të jemi dhe kështu do të ndodhë. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe sepse kur vjen puna për të lypur për shqiptarët, më falni për modestinë por jam njësh”, deklaroi Rama.

 

Fraksion.com