AktualitetBota+Të fundit

Analistët: Dialogu Uashington-Phenian në udhëkryq

Përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për t’i bërë presion Koresë së Veriut që të heqë dorë nga programi bërthamor nuk shënuan përparim në vitin 2020, pas ndërprerjes së negociatave të udhëhequra nga SHBA dhe me shpërthimin e pandemisë së koronavirusit. Dhe megjithëse shqetësimi se Pheniani do të bënte prova të reja bërthamore ose me raketa nuk u realizua, shumë nga përpjekjet e Seulit për të shtuar komunikimin me regjimin koreano-verior përfunduan pa rezultat.

Buja për takimet e pashembullta mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit koreano-verior, Kim Jong Un gjatë dy viteve të para të administratës Trump si dhe shpresa se një miqësi mes dy udhëheqësve do të ndryshonte kursin e dekadave me antagonizëm lidhur me Gadishullin Korean, u fashitën në 2020.

Shtysa për një marrëveshje për programin bërthamor të Phenianit, për reduktimin e sanksioneve dhe nënshkrimin e një traktati për paqe që do të mbyllte zyrtarisht Luftën Koreane nuk u ringjall dot pas takimit të shkurtit 2019 në Hanoi, kur dy udhëheqësit u larguan pa marrëveshje. Nismat dukeshin edhe më të pamundura për t’u realizuar pasi bota dhe administrata Trump e kthyen vëmendjen tek pandemia dhe fushata për zgjedhjet e 2020.

Stephen Biegun, Zëvendës Sekretar i Shtetit dhe i dërguar amerikan në bisedimet për çmilitarizimin bërthamor të Koresë së Veriut, nënvizoi disa nga ambicjet e papërmbushura, gjatë një vizite në Seul në dhjetor.

“Ndoshta doni të dini nëse jam i zhgënjyer që nuk arritëm më shumë në këto dy vjet. Po, jam i zhgënjyer,” tha ai gjatë fjalimit në një diskutim, sipas transkripteve të Departamentit të Shtetit.

“Megjithë hapat prapa, zhgënjimet dhe mundësitë e paraqitura gjatë dy viteve të fundit, nuk ushqej më pak shpresë sot se sa kur mora detyrën, se vizioni i Presidentit Trump dhe udhëheqësit Kim për gadishullin Korean është i mundshëm dhe se ende nuk kemi përfunduar punë,” tha ai.

Por Koreja e Veriut nuk po tregon shenja se është e gatshme për dialog me SHBA; Pheniani e ka kaluar një pjesë të mirë të vitit në karantinë të vetë-imponuar, duke mbyllur kufijtë dhe duke bllokuar tregtinë dhe ardhjen e ndihmave nga jashtë për t’u mbrojtur nga pandemia. Tani që pritet një udhëheqje e re në Uashington, Pheniani ende nuk ka njohur zyrtarisht zotin Biden si fitues të zgjedhjeve të nëntorit dhe nuk ka komentuar mbi humbjen e partnerit të mëparshëm amerikan në negociata.

Si rezultat i heshtjes së Phenianit dhe mungesës së një strategjie të qartë kundrejt Koresë së Veriut nga Presidenti i Zgjedhur Joe Biden, shumë analistë nuk e kanë të qartë se si do të përpiqen Uashingtoni dhe Seuli të kapërcejnë ngërçin diplomatik të 2020. Por disa prej tyre pohojnë se muajt e parë të vitit 2021 do të përcaktojnë trajektoren e angazhimit me Phenianin.

Mungesa e gatishmërisë nga ana e Koresë së Veriut për të komentuar mbi ndryshimin e pritshëm në udhëheqjen amerikane nuk është për t’u çuditur, thotë Yang Moo-jin, pedagog në Universitetin e Studimeve Koreano-Veriore në Seul.

“Presidenti Trump e ka prezantuar veten si mik, ndërsa zoti Biden e ka cilësuar Kim Jong Unin vagabond. Prandaj Koreja e Veriut nuk ka thënë ende gjë për fitoren e zotit Biden,” thotë ai.

I takon administratës Biden të bëjë tentativën e parë për komunikim në mënyrë që të rifillojë dialogu, thotë James Kim me Institutin për Studime Politike në Seul, i cili thotë se të dy vendet janë tani në “udhëkryq”.

“Nuk shoh mënyrë tjetër për të kapërcyer ngërçin,” thotë ai.

Udhëheqësi koreano-verior parashikon se zoti Biden do të ndjekë një tjetër strategji kundrejt Phenianit krahasuar me Presidentin Trump, i cili nuk arriti sukses gjithsesi, thotë ai.

“Ka gjasa që gjërat të shkojnë edhe më keq,” shton ai.

Në tetor, Kim Jong Un prezantoi gjatë një parade të Partisë së Punëtorëve atë që analistët e cilësuan si një raketë balistike ndërkontinentale të re dhe më të madhe, si dhe raketa të tjera balistike. Sipas një raporti të OKB-së të nxjerrë nga shtypi në gusht, shumë qeveri besojnë se Pheniani ka të ngjarë të gëzojë tani kapacitetet për të prodhuar mbushje më të vogla bërthamore që mund të dislokohen me raketa me rreze të gjatë veprimi, sipas agjencisë së lajmeve Reuters dhe grupeve të tjera mediatike.

Ndryshimi i udhëheqjes amerikane ofron edhe mundësinë për të bashkërenduar më mirë punën me Seulin, thotë Hee-jin Koo, studiuese në Forumin për të Ardhmen e Gadishullit Korean. Ajo thotë për Zërin e Amerikës se që nga takimi i fundit Trump-Kim, administrata koreano-jugore është “anashkaluar në politikat amerikane të çmilitarizimit bërthamor, por ajo parashikon se administrata e ardhshme amerikane do të ndjekë një strategji të bashkëpunimit shumëpalësh.

Por zonja Koo tha se një pikë fërkimi mes këtyre dy aleatëve mund të jetë ratifikimi i traktatit të paqes për gadishullin, gjë që mbështetej nga zoti Trump dhe kërkohet nga udhëheqësi koreano-jugor, por mund të mos jetë prioritare për administratën e ardhshme Biden.

“Administrata e presidentit koreano-jugor Moon mund ta ketë më të vështirë ta arrijë këtë ratifikim,” thotë ajo, duke shtuar se administrata Biden mund të ndjekë strategjinë e “presionit maksimal” dhe të rifillojë manovrat e gjera ushtarake me Seulin, të cilat u pezulluan nga administrata Trump.

Përpjekjet e Presidentit Moon për të përmirësuar shkëmbimet mes dy Koreve morën një goditje të rëndë në qershor, kur Pheniani mbylli linjat e komunikimit ushtarak dhe shpërbëri një zyrë shkëmbimesh ndër-Koreane në anën e tij të zonës së çmilitarizuar, duke shkëputur praktikisht çdo lidhje me Seulin.

Koreja e Veriut nuk ka përfillur ofertat për ndihmë nga Seuli në këtë periudhë pandemie. Pheniani reagoi kohët e fundit me kritika të forta ndaj ministres së Jashtme të Koresë së Jugut, Kang Kyung-wha pasi ajo vuri në pikëpyetje pretendimet e Phenianit se nuk kishte pasur raste me COVID-19 në Korenë e Veriut.

“Nuk do t’i harrojmë kurrë fjalët e saj dhe ajo mund ta paguajë shtrenjtë,” tha Kim Yo Jong, motra e udhëheqësit koreano-verior përmes një deklarate të publikuar nga media zyrtare më 9 dhjetor.

Koreja e Veriut mund të ofrojë më shumë hollësi mbi planet e saj të ardhshme ndaj SHBA dhe në marrëdhëniet me Seulin gjatë Kongresit të Partisë së Punëtorëve në janar, i cili zhvillohet në të njëjtën kohë që bën betimin Joe Bideni si president i ri i SHBA, thotë analisti James Kim.

“Muaji janar do të jetë një periudhë e rëndësishme. Nëse nuk shohim ndryshime apo sinjale për strategji specifike nga Koreja e Veriut, ka gjasa që të ketë deklarime në muajin shkurt,” thotë ai./VOA

 

Fraksion.com