“Akuzat për detin të qëllimshme për të luajtur me ndjenjat kombëtare”; Rama: Shqipëria në vitin 1990 ka bërë ekzaktësisht këtë gjë që ka bërë Greqia sot
“Nuk negocioj për asnjë rast e asnjë rrethanë të drejtat e shqiptarëve”, ka theksuar gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, kryeministri Edi Rama.
Duke iu referuar çështjes së detit, ai tha se “po ngrihet sot si debat nga ata që në vitin 2009 firmosën marrëveshje me Greqinë, një marrëveshje të pandershme, që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese”.
Sa i takon vendimin të marrë nga Greqia, për zgjerimin e saj në detin Jon me 12 milje, kryeministri Rama, e cilësoi se është një drejtë që i takon vendit fqinj, për shkak të konventës së detit dhe një zgjerim të ngjashëm e ka bërë dhe vendi ynë në vitin 1990. Rama tha se ata që akuzojnë për tradhti e bëjnë thjesht për pushtet, pasi çdo mendje normale e kupton mjaft mirë se ajo që po ndodh është një e drejtë e vendit fqinj.
“Ju kërkoni që ne të reagojmë ndaj shtetit grek, po për çfarë duhet reaguar? Çfarë ka këtu akoma për të mos u kuptuar? Se unë besoj që çdo mendje normale, mjafton të përqendrohet pak, dhe kupton se për çfarë bëhet fjalë. Unë besoj se ata të cilët i fryjnë këtij zjarri, janë të qëllimshëm. Qoftë nga Lalzi, qoftë nga Presidenca, apo Prishtina, janë të qëllimshëm. E kam të vështirë të besoj që këta fryrës të këtij zjarri, të jenë kaq të mangët nga mendja e kokës, por kjo që bëjnë është e qëllimshme. E qëllimshme për të luajtur me ndjenjat kombëtare, me ndjeshmëritë patriotike, për të shfrytëzuar rastin që të krijohet një sebep për sherr e për t’i ndarë punët mes tradhtarësh e patriotësh, si gjithmonë në mënyrën më të shëmtuar e të ulët të mundshme”,- tha Rama.
“Shqipëria në vitin 1990 ka bërë ekzaktësisht këtë gjë që ka bërë Greqia sot, as më shumë e as më pak. E kam shpjeguar, që sipas konventës ndërkombëtare të detit, çdo shtet që ka dalje në det, ka të drejtën të zgjerojë 12 milje përtej kufirit ekzistues, një orë më parë, aty ku është e mundur thotë Koventa. Shqipëria e ka ushtruar këtë të drejtë në vitin 1990 me një dekret të Presidentit të Kuvendit Popullor dhe e ka depozituar faktikisht ushtrimin e kësaj të drejtë në maj të vitit 1990 në Kombet e Bashkuara. Nuk rezulton që Greqia të ketë bërë ndonjë reagim apo deklaratë, se s’ka si ta bëjë, është e drejtë e çdo vendi. E njëjta gjë është bërë nga Greqia sot, për detin Jon. Deti Jon është shumë më përtej pjesës sonë të Jonit. Në pjesën tonë të Jonit, në pjesën mes të dyja vendeve nuk ka mundësi fizike për t’u shtrirë 12 milie të dyja vendet, është e pamundur dhe prandaj e kemi negociuar kaq kohë këtë marrëveshje dhe prandaj do ikim në gjyqe. Nëse kjo do ishte kaq idiotike, kaq idiotikisht banale, sa shkruhet nga këto pa fe, pa dinë e pa iman, vetëm për të nxitur urrejtje dhe dëshpërim dhe për të krijuar një trazirë të radhës në funksion të zgjedhjeve, atëherë për çfarë kemi negociuar ne, për çfarë negocion Greqia me ne, për çfarë shkojmë në gjyq?”,- tha Rama.
“Si mund të arrihet deri në këtë nivel të menduarit, rrafsh fare”,- nënvizoi Kryeministri. “Pa asnjë lëvizje të trurit, si u bëka kjo, në shekullin XXI mes Europës, s’ndodh askund. Bënë një marrëveshje të fshehtë. Ne po marrim vendim dhe deti u shit, si ndodh kjo? Për çfarë të reagojmë ne ndaj shtetit grek, kur ky debat është pjesë e marrëzisë shqiptare, çfarë t’i themi ne shtetit grek, kur këtë e prodhon mendja e autoritetit më të lartë të Shqipërisë dhe ish- autoritetit më të lartë të Shqipërisë, dhe këtu kam parasysh Presidentin dhe ish-Presidentin”,- tha Rama.
“Nuk ka asnjë lloj lidhje me zonën e kompensuar mes nesh. Këta janë autorët e marrëveshjes së 2009 mos harroni, janë autorët dhe firmëtarët e marrëveshjes famëkeqe, që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Ç’punë kemi ne, thonin ata, grekët me atë që vendos Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, kur ne jemi shtet tjetër dhe kur kjo është marrëveshje me dy shteteve.Por ishte këmbëngulja jonë, rezistenca jonë, qartësia jonë, që pala greke erdhi në tavolinë për të negociuar marrëveshjen e re, po për çfarë duhet ta bënim atë për t’u kthyer te marrëveshja e 2009 apo për ta bërë me keq? Jo, për ta bërë më mirë dhe për ta bërë marrëveshje të ndershme për të dyja palët. Jo se ishte e pandershme ajo që kishin bërë grekët, por e pandershme ishte ajo që kishin bërë përfaqësuesit e palës shqiptarët, pasi fajin e kanë ata që sot kanë marrë përsipër të mbrojnë detin”,- shtoi Rama.
“Ka qenë kërkesa jonë që në fillim, kohë më parë që këtë punë ta zgjidhim me Gjykatë dhe s’donte pala greke. Këta që thonë se Greqia është në avantazh në Gjykata Ndërkombëtare janë dokrra. Sa herë teshtin apo kollitet dikush në Athinë, këtu plas rrufa e madhe për arsye krejt të tjera nga fakti, thelbi, e vërteta, pasi gjithçka këtu është luftë për pushtet. Kaq e thjeshtë është kjo, s’di çfarë duhet shpjeguar më shumë”, deklaroi Rama.
“E drejta e 12 miljeve është universale, që buron nga konventa. Prandaj, o unë jam agjent turk, që luftoj me Greqinë, ose agjent grek që luftoj me Turqinë, ose jam ai që jam, Kryeministër i Shqipërisë që nuk negocioj për asnjë rast e asnjë rrethanë të drejtat e shqiptarëve. Është qesharake dhe e shëmtuar e turpshme, për një shtet, për një vend si yni që bëhet kaq qesharak në sytë të tjerëve, përmes gojës së një Presidenti e ish-Presidenti që i frynë këtij zjarri dhe e gjithë bota qesh me ta. E imagjinoni ju sikur të kishte këtu një fije të vërtete çfarë do do ndodhte në nivel europian? Një vend i BE të bënte një vendim unilateral për të marrë detin e tjetrit, e shikoni çfarë ndodh për një kontestim për dy vende fqinje, ngrihet e gjithë bota në këmbë, si u bëka kjo që u merrka deti me vendim për Krishtlindje. Jam realisht i pataksur nga niveli “Zh” i shumëkujt që përfshihet e s’di çfarë flet. Dhe fatmirësisht është dokumenti i depozituar në ’90. Mund edhe të mos ishte, por fakti është dhe dokumenti flet vetë. Merreni vendimin e grekëve shiheni, është ana tjetër e të njëjtës medalje. Aty ku ka mundësi, aty ku s’ka mundësi, ulemi diskutojmë. Aty ku s’ka mundësi bëhet marrëveshje, aty ku nuk arrihet marrëveshje, shkohet në gjykatë dhe ka rregulla dhe ka korniza se si bëhen këto ndarje”,- përfundoi Rama.
Fraksion.com