AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Trump nënshkroi paketën financiare

Ndërsa po ofrohej afati për mbylljen e mundshme të qeverisë amerikane, presidenti Donald Trump nënshkroi të dielën një paketë financimi prej 2.3 trilionë dollarësh që përfshinë 900 miliardë dollarë për lehtësimin e pasojave të koronavirusit dhe 1.4 trilionë dollarë për financimin e qeverisë deri në shtatorin e ardhshëm.

Presidenti e kishte quajtur projektligjin “të turpshëm ” pasi Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati e miratuan atë pas muaj negociatash në të cilat presidenti Trump ishte i përfshirë shumë pak.

Kundërshtimet e tij habitën shumë veta që menduan se presidenti do të mbështeste masën e financimit. Pa nënshkrimin e presidentit Trump, një mbyllje e pjesshme e qeverisë do të kishte filluar të martën, ndërsa përfitimet e rritura të papunësisë dhe mbrojtjet nga dëbimi skaduan të dielën në mëngjes.

“Nënshkrimi i ligjit dypartiak, është një lajm i mirëpritur për katërmbëdhjetë milionë amerikanë që sapo humbën përfitimet e papunësisë në fundjavën e Krishtlindjes dhe për miliona të tjerë që përpiqen të mbijetojnë gjatë kësaj krize historike pandemike dhe ekonomike”, tha në një deklaratë të dielën vonë kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, e vlerësoi veprimin e presidentit Trump për parandalimin e “një mbylljeje të qeverisë në një kohë kur kombi ynë nuk mund ta kishte përballuar një gjë të tillë”.

“Paketa dypalëshe e shpëtimit që Republikanët në Kongres dhe Administrata Trump negociuan me Demokratët do të ofrojë një mjet tjetër shpëtimi për punëtorët në bizneset e vogla të goditura, do të ripërtërijë lehtësimin e madh për amerikanët e pushuar nga puna, do të investojë miliarda më shumë në shpërndarjen e vaksinave, do të dërgojë para direkt në familje dhe më shume. Projektligji i kompromisit nuk është i përsosur, por do të ofrojë një shumë të madhe të ndihmës për amerikanët gjithandej vendit”, tha zoti McConnell.

Vërejtjet kryesore të presidenti Trump kishin të bënin me atë që ai e cilësoi të të pamjaftueshëm 600 dollarë ndihma në luftën kundër koronavirusit, si dhe me fondet për programe të shumta qeveritare të tilla si ndihma e huaj dhe kërkimet shkencore.

“Si president, unë i kam thënë Kongresit se dua shumë më pak shpenzime të kota dhe më shumë para për amerikanët në formën e çeqeve prej 2 mijë dollarësh për të rriturit dhe 600 dollarë për fëmijët”, tha presidenti Trump.

Kërkesa për rritjen e shumës së ndihmave u pa si një kritikë ndaj vetë anëtarëve të Partisë së tij Republikane, të cilët u kishin rezistuar përpjekjeve të demokratëve për të negociuar pagesa më të mëdha.

Kongresi planifikon që të hënën të kthehet në punë, duke ndërprerë pushimin e zakonshëm të Krishtlindjes për të diskutuar rrëzimin e vetos së presidentit Trump ndaj një projektligji prej 740 miliardë dollarësh që autorizon programet e mbrojtjes së vendit. Nëse Dhoma e Përfaqësuesve e miraton, Senati mund të votojë mbi këtë masë që të martën. Procesi kërkon votat e dy të tretave në të dy dhomat në mënyrë që vetoja presidenciale të rrëzohet.

Presidenti Trump e ka kritikuar ligjin për mbrojtjen në disa aspekte, duke pretenduar pa dhënë shpjegime se ligji ndihmon Kinën, si dhe ka kërkuar heqjen e frazave që lejojnë ndryshimin e emrave të bazave ushtarake që nderojnë udhëheqësit e Konfederatës. Ai gjithashtu ka kërkuar shtimin e një klauzole që e bën më të lehtë paditjen e kompanive të medieve sociale për materiale të publikuara nga përdoruesit e tyre.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e quajti veton e Presidentit Trump “një gjest tronditës shpërfilljeje që dëmton trupat ushtarake të vendit”./VOA

 

Fraksion.com