Vrasja e 25 vjeçarit Rasha; Dervishi: Hetim administrativ për “Shqiponjat”
Zinxhiri komandues i repartit “Shqiponja” është vendosur nën hetim administrativ, në kuadër të ngjarjes së rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 8 dhjetor, ku mbeti i vrarë Klodian Rasha në afërsi të banesës së tij, nga një efektivi i këtij repartit, i cili sot është para drejtësisë.
Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Albert Dervishi, gjatë një interviste televizive, ka nënvizuar se nisur nga ngjarja e rëndë, reparti “Shqiponja”, zinxhiri komandues i tij është në hetim administrative dhe për çdo parregullsi do të ketë procedim disiplinor deri në përjashtimin e tyre.
Dervishi, gjithashtu bëri me dije se janë zhvilluar dhe ritrajnime për efektivë të këtij reparti për mënyrën se si duhet përdorur arma e zjarrit, sigurimi teknik si dhe element të tjerë, për të mënjanuar ngjarje të ngjashme.
“Drejtoria e standardeve profesionale është vënë në lëvizje ka filluar hetimin administrativ dhe janë listuar të gjithë zinxhiri komandues në këtë hetim administrativ i shqiponjave, është në hetim administrativ. Janë bërë disa analiza tek reparti Shqiponjat dhe të gjithë Shqiponjat e Shqipërisë që ditën e ngjarjes dhe të evidentohen problematikat edhe më të vogla dhe të përpiqemi të kurojmë çdo lloj defekti që mund të konstatojmë në këto moment. Kemi marrë masa për të bërë një ri-trajnim të shpejtë të gjithë shqiponjave për përdorimin e armëve të zjarrit, për zbatimin e rregullave të sigurisë teknik dhe kushdo që do jetë përgjegjësi do të merren procedime disiplinore deri në përjashtim nga forcat e rendit”,- tha Dervishi.
Dervishi, i pyetur për protestat e zhvilluara në Tiranë dhe jo vetëm pas ngjarjes së rëndë të tetë dhjetorit, tha se strukturat e inteligjencës në Policinë e Shtetit po punojnë për të kuptuar qëllimin e vërtetë të organizimit të këtyre protestave.
“Protestat nuk kanë lidhje me ngjarjen.”,- nënvizoi Dervishi. E vetmja protestë që ne kemi qëndruar kokë ulur ndaj protestuesve ishte dita e parë. Ditën e parë mund të faleshe çfarëdolloj reagimi. Dëshiroj të falenderoj, babain e të ndjerit i cili na ka pritur disa herë. Kryeministrin, ministrin e brendshëm dhe ka mbajtur një qëndrim fisnik ndaj policisë. Deklaratat e tij në media kanë qenë për të ruajtur një ekuilibër të rendit publik.”,- vuri në dukje Dervishi.
“Strukturat e inteligjencës në policinë e shtetit, janë duke punuar dhe identifikuar edhe për qëllimin e protestave. Po punohet për këtë gjë. Një pjesë e të arrestuarve po pyeten dhe hetimi po vijon. Veçoria më negative ishte përfshirja e të miturve në kundërshtim me Konventën për të Drejtat e Njeriut”, tha Dervishi.
Fraksion.com