AktualitetTë fundit

“Nishani shpifi”; Gurakuqi: Veprim shantazhues, do të mbajë përgjegjësi ligjore

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Romeo Gurakuqi deklaron se “veprimi shantazhues i Bujar Nishanit është shpifje e mirëfilltë dhe e garantoj që do të mbajë përgjegjësi ligjore, sipas ligjeve në fuqi në Republikën e Shqipërisë”.
“Pas një deklarate shantazhuese të Nishanit deklaroj me përgjegjësi para opinionit publik, para bashkëqytetarëve te mi të Shkodrës, se të dhënat e paraqitura nga personi, që për fat të keq ka qenë Presidenti i vendit, nuk kanë të bëjnë as me mua dhe as me familjen time. I kërkoj publikisht Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit të japë opinionin e vet përkufizues, brenda parashikimeve të ligjit, mbi dy dosjet e cituara”, tha ai.
Gurakuqi tha se “personalisht është kontrolluar dy herë nga Autoriteti për Informim në vitin 2017, herën e parë si kandidat për organet e reja të Drejtësisë (kandidat i KLGJ) dhe herën e dytë, pas fitores nga PDSH Shkodër në zgjedhjet e vitit 2017, para marrjes së mandatit, me nismën time si detyrim moral ndaj zgjedhësve”, tha ai.
Gurakuqi shtoi se “personazhet, oficerët, të dhënat nuk kanë të bëjnë as me mua dhe me asnjë anëtar të familjes sime”.
“Nën përgjegjësi publike dhe ligjore deklaroj se as unë dhe asnjë anëtar i familjes sime, nuk ka qenë kurrë as bashkëpunëtor i ish- Sigurimit dhe as anëtar i PPSH. Po ashtu, mbiemri i familjes sime nuk ka ndryshuar prej më shumë se 3 shekujsh e gjysëm, fakt lehtësisht i vërtetueshëm nga regjistrat kishtare të Arshivës së Famullisë së Shkodrës. Problemi është se këtë shpifje shantazhuese e bën një person qe ende nuk ka shkuar vetë për të bërë kërkesë para Autoritetit për Informim dhe nuk i ka shpjeguar publikut arsyen pse ka ndryshuar mbiemrin e tij”, tha Gurakuqi.
Ai paraqiti vërtetimin e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, i cili vërteton pastërtinë e figurës së tij në lidhje me të kaluarën.
“Për gjithë pjesën tjetër të përroit të fjalëve pa lidhje të personazhit Nishani, do ketë një përgjigje të detajuar, duke filluar nga rezultati i zgjedhjeve 2017, i krahasuar në vite dhe në territor. Qytetarët kanë rastin të kuptojnë se nën drejtimin presidencial të kujt kanë qenë”, tha Gurakuqi.
Fraksion.com