Masakrimi i çiftit Pasho; Zbulohen gjurmë në shtëpinë e ish-të dashurës së djalit
Ka përfunduar pas dhjetë orësh puna, kërkimi dhe inspektimi nga teknikët e Departamentit të Hetimeve Shkencore në apartamentin në lagjen “Novoli”, në “via Felice Fontana”, ku jetonte Elona Kalesha, ish-partnerja e Taulant Pashos, i biri i Shpëtim dhe Tauta Pashos, kufomat e të cilëve u gjetën javën e shkuar të copëtuara dhe futur në katër valixhe.
Specialistët ndërhynë në skenën e dyshuar të krimit në Firence, në përpjekje për të zgjidhur misterin e vrasjes makabre të çiftit shqiptar.
Elona Kalesha, 36 vjeçe me origjinë nga Durrësi, u arrestua para dy ditësh nga karabinierët me urdhër të prokurores publike, Ornella Galeotti me akuzat e vrasjes, fshehjes dhe dhunimit të kufomës.
Mësohet se policia, është kthyer nga banesa e Elonës, “në Romë, me disa gjurmë të gjetura, natyra e të cilave do të përcaktohet nga hetimet që do të kryhen në laboratorët shkencorë. Rezultatet do të përcaktojnë nëse ato janë gjurmë të dobishme për qëllimet e hetimit”.
Ndërkohë banesa e vajzës është nën sekuestro të organeve hetimore. Hetuesit dyshojnë se çifti Pasho është vrarë pikërisht në këtë shtëpi në Firence, ku Shpëtimi dhe Teuta po qëndronin në atë kohë me partneren e djalit të tyre.
Dyshimet janë të forta që Elona Kalesha nuk ka vepruar e vetme, por ka pasur të paktën një bashkëpunëtor.
Karabinierët, mblodhën dëshmi dhe prova për misterin e zhdukjes së bashkëshortëve Pasho në nëntor 2015.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, në atë kohë fqinjët kanë parë se hyrja e shkallës së pallatit, kishte një substancë ngjitëse që vinte një erë të keqe.
Inspektimi i policisë, u shtri gjithashtu edhe në shtëpinë dhe garazhin në “via del Pantano”, pranë burgut Sollicciano, ku Kalesha kishte jetuar më parë me Taulant Pashon.
Burri, aktualisht është në burg në Zvicër me akuzën për vjedhje. Kalesha përdori të drejtën për të mos dhënë përgjigje gjatë marrjes në pyetje të prokurorit dhe më pas u dërgua në burgun e Firences.
Shpëtim dhe Teuta Pasho, të zhdukur që para pesë vitesh, u gjetën të masakruar më 15 dhjetor në 3 valixhe, ndërkohë që një ditë më vonë u gjet e katërta me pjesët e tjera të trupave.
Fraksion.com