Gjonaj publikon pesë hapat e ndërmarra kundër korrupsionit
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka publikuar këtë të enjte pesë hapat e ndërmarra dhe që po zbatohen me vendosmëri në betejën kundër korrupsionit.
Ministrja Gjonaj, nënvizon se mekanizmat sistemike të premtuara, tashmë janë në fazë zbatimi dhe me shumë vendosmëri e përgjegjësi po çohen deri në fund
“Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit kemi ndërmarrë iniciativa të shumta, ku dhe mekanizmat sistemike të premtuara, tashmë janë në fazë zbatimi dhe me shumë vendosmëri e përgjegjësi po çohen deri në fund, ndër të cilat vlen të përmenden: Një, ngritja e Rrjetit Antikorrupsion të Koordinatorëve në çdo agjenci kyçe që ofron shërbime, për të përmirësuar fytyrën e administratës përballë qytetarit dhe për ta bërë këtë të fundit aleat në identifikimin dhe adresimin e rasteve korruptive”,- shprehet Gjonaj.
“Dy, rritjen eksponenciale të digjitalizimit të shërbimeve të ofruara qytetarëve, duke luftuar kështu korrupsionin e vogël në sportele përmes 759 shërbimeve që ofrohen online nga portali E-Albania për qytetarët dhe bizneset. Tre, Rritjen e transparencës së institucioneve, përmes dokumentash strategjikë e iniciativash ligjore, për ta bërë qeverisjen më të hapur ndaj publikut”,- bënë me dije Gjonaj.
“Katër, Ndjekja në mënyrë rigoroze për të plotësuar të gjitha rekomandimet e strukturave ndërkombëtare të specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, që na monitorojnë e këshillojnë, si MONEYVAL, ICRG/FATF, si dhe GRECO, ku së fundmi Shqipëria ka shënuar një ndër rezultatet më të mira në rajon, duke plotësuar plotësisht 9 nga 10 rekomandimet e raundit të katërt të vlerësimit.”,- vijon ajo
“Dhe pesë, nga radha por jo për nga rëndësia, kemi forcuar mekanizmat parandalues në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Miratimi i Metodologjisë së vlerësimit të riskut për institucionet qendrore dhe Planit të Integritetit për Ministrinë e Drejtësisë, që do të shtrihet si praktikë në të gjithë institucionet e varësisë dhe në Ministritë e linjës, përbën një instrument të fuqishëm në dorën e secilit institucion që të përmirësojë qeverisjen e mirë, menaxhimin e mirë, rritjen e efiçencës dhe të rrënjosë kulturën e etikës në administratën publike.”,- përfundon Gjonaj.
Fraksion.com