Protestë në Shkodër, policia rrethon institucionet
Sot në orë 11:00 shkodranët kanë nisur të grumbullohen për një tjetër protestë për vrasjen e Klodjan Rashës. Pas lajmërimit në rrjetet sociale, efektivë të policisë kanë rrethuar dhe marrë në mbrojtje institucionet Bashkinë Shkodër dhe Prefekturën. Qytetarët e pranishëm janë në një numër të vogël krahasuar me protestën e një jave më parë, ndërsa është paralajmëruar se ajo do të jetë paqësore, megjithatë pritet të shihet se si do të vijojë protesta. Ajo që vihet re është se sot nuk ka prezencë të të miturve, të cilët në protestën e kaluar në Shkodër, ishin shkaktarët e dhunës dhe shkatërrimit.
Protestuesit janë mbledhur te sheshi “Luigj Gurakuqi” për një marrshim paqësor duke u distancuar nga protesta e të shtunës së kaluar që degjeneroi në dhunë, shkatërrim deri në djegien e selisë së PS në këtë qytet nga të mitur dhe të rinj.
Protestuesit kërkojnë shkarkimin e Ardi Veliut, pas vrasjes të Klodian Rashës nga policia gjatë natës.
Në protestën e 12 dhjetorit, të miturit ishin në krye të rebelimit, ku dhuna u përqendrua në selinë e PS në Shkodër, ku disa të rinj kanë thyer xhamat me gurë dhe më pas shkallmuan derën e kamerat e sigurisë duke hyrë brenda ambienteve. Ata nxorën çdo gjë që ndodhej brenda, objektet dhe dokumente dhe i vunë zjarrin para hyrjes së selisë rozë. Në protestë ishin prezentë edhe figura politike si anëtarë apo kryetar të degëve të PD dhe LSI si dhe kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, e cila u vendos nën hetim nën akuzën e organizimit të protestave.
Fraksion.com