AktualitetTë fundit

Sistem i integruar i të dhënave të drejtësisë penale; Përmirësohet aksesi në drejtësi i të miturve

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj mori pjesë sot në Konferencën Kombëtare “Fuqizimi i Sistemit të Drejtësisë për të Miturit në Shqipëri” me pjesëmarrje të gjerë nga të gjithë aktorët që punojnë çdo ditë për të garantuar të drejtat e fëmijëve.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin Kristin Melsom, zv.drejtore e përgjithshme në Ministrinë Norvegjeze të Punëve të Jashtme, Roberto De Bernardi, përfaqësues i UNICEF Shqipëri, Anila Meço, drejtore e “Save the Children” në Shqipëri, Iris Luarasi dhe mjaft kolegë të tjerë.

Gjonaj tha se “kjo është një ditë e rëndësishme për drejtësinë penale për të mitur pasi, sot për herë të parë profesionistët e sistemit të drejtësisë, Gjykata, Prokuroria, Shërbimi i Provës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Policia do të ndërveprojnë ndërmjet tyre nëpërmjet Sistemit të Integruar të të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur”.

Ky sistem, tha ajo, “do të garantojë për herë të parë përmirësimin e aksesit në drejtësi të të miturve, dhe koordinimin ndërinstitucional, me qëllim ofrimin e zgjidhjeve të menjëhershme për rastet kur të miturit i mohohet aksesi në drejtësi, është subjekt i abuzimeve ose shkeljeve të të drejtave, ose nuk zbatohen garancitë procedurale të parashikuara në legjislacion”.

“Sistemi mundëson mbledhjen e të dhënave, sistemimin e tyre, miradministrimin e drejtësisë për të mitur, si dhe ndjekjen në kohë reale por edhe unifikimin dhe kompjuterizimin e këtyre të dhënave, me qëllim krijimin e një baze statistikore që na ndihmon të gjithëve në analizën dhe përmirësimin e politikave për drejtësinë penale për të mitur. Të dhënat elektronike do të përditësohen mbi çdo fazë të procedimit penal, deri në ekzekutimin e vendimit”, shtoi ministrja.

Gjonaj tha se “kjo është një nga përpjekjet e qeverisë shqiptare, për këtë faze të re të drejtësisë penale, e cila normon parimet dhe standardet për një drejtësi sa më miqësore për të miturit në tre cilësitë, autor, viktima, dëshmitarë”.

“Drejtësia miqësore ndaj fëmijëve është një nga çështjet më të ndjeshme dhe me rëndësi pasi fëmijët janë kategoritë që përfaqësojnë më së miri lidhjen midis shoqërisë së sotme dhe asaj që do të jetë në të ardhmen”, tha ajo.

 

Fraksion.com