Presidenti francez, Emmanuel Macron i prekur me koronavirus
Pallati Elysee tha të enjten se presidenti francez Emmanuel Macron është prekur nga COVID-19.
Në njoftim thuhet se presidenti bëri test menjëherë pasi “u shfaqën simptomat e para”, por nuk u dhanë më shumë hollësi se çfarë simptomash shfaqi ai.
Presidenti, thuhet në njoftim, do të izolohet për shtatë ditë. “Ai do të vazhdojë të punojë dhe të kujdeset për veprimtaritë e tij në distancë”.
Presidenti Macron mori pjesë në një samit të Bashkimit Evropian në fund të javës së kaluar, ku ai zhvilloi mes tjerash një takim dypalësh me kancelaren gjermane Angela Merkel, ndërsa të mërkurën u takua me kryeministrin e Portugalisë.
Presidenti Macron të mërkurën gjithashtu mbajti mbledhjen javore me qeverinë në prani të kryeministrit Jean Castex dhe ministrave të tjerë. Zyra e kryeministrit Castex tha se ai gjithashtu është vetë-izoluar për shtatë ditë.
Presidenca franceze konfirmoi se një udhëtim i presidentit Macron në Liban i planifikuar për javën e ardhshme, është anuluar.
Franca numëron dy milionë të prekur nga koronavirusi i cili deri tani u ka marrë jetën 59 mijë e 400 vetave. Aktualisht Franca ka vendosur një masë të ndalimit të lëvizjeve në përpjekje për të frenuar përhapjen e infektimeve.
Fraksion.com