AktualitetTë fundit

Kuvendi voton me 96 vota pro Altin Binajn anëtar të Gjykatës Kushtetuese

Kuvendi ka votuar sot me 96 vota pro, Altin Binajn për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi miratoi me 96 vota pro, 4 abstenime dhe 11 kundër projektvendimin “Për zgjedhjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese”.

Me këtë vendim Kuvendi plotësoi 3 vakancat që i takojnë në këtë gjykatë.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, u shpreh se kjo është një detyrë shtëpie e rëndësishme për ndërtimin e institucioneve të reja të Drejtësisë.

“Parlamenti shqiptar ka votuar sot anëtarin e fundit të Gjykatës Kushtetuese me 96 vota, të mjaftueshme për ta zgjedhur atë anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese shqiptare. Kjo është një detyrë shtëpie e rëndësishme për ndërtimin e institucioneve të reja të Drejtësisë”, tha Balla.

Gjonaj: Mazhoranca e angazhuar në realizimin e plotë të Reformës në Drejtësi

Votimi me 96 vota pro për Altin Binajn si anëtar i Gjykatës Kushtetuese është një dëshmi e qartë se mazhoranca është e angazhuar plotësisht në zbatimin e Reformës në Drejtësi deri në fund, si një angazhim ndaj qytetarëve dhe për të avancuar në integrimin europian.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, përshëndeti vendimin e Kuvendit dhe përgëzoi punën intensive të zhvilluar nga Këshilli Emërimeve në Drejtësi, KED.

“Vendimi sot i Kuvendit të Shqipërisë për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, tregon qartazi se mazhoranca është tërësisht e angazhuar për zbatimin e Reformës në Drejtësi deri në fund, si një angazhim ndaj qytetarëve dhe për të avancuar në integrimin europian”, u shpreh, Gjonaj.

“Përshëndes përpjekjet e KED për të përfunduar në kohën më të shkurtër të mundshme procesin e verifikimit dhe vlerësimit të kandidatëve me qëllim plotësimin e vendeve në Gjykatën Kushtetuese! Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë duhet të plotësohen tërësisht sa më shpejt dhe është përgjegjësi e të gjitha institucioneve të përfshira, për ta bërë të mundur funksionimin e plotë të tyre”, – garantoi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Gjylameti: Reformimi i drejtësisë në etapën kyçe të finalizimit

“Reformimi i drejtësisë në etapën kyçe të finalizimit. Sot Kuvendi i Shqipërisë ka votuar me 96 vota PRO dhe anëtarin e fundit për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca ka qenë dhe mbetet shprehje e përhershme e avancimit të këtij procesi kaq të rëndësishëm për Shqipërinë. Ndërtimi i Pallatit të Drejtësisë së Re ka qenë një ndër premtimet tona të mbajtur përballë çdo qytetari shqiptar. Partia Socialiste dhe qeveria kanë qenë iniciatiorët për të ndërtuar një drejtësi e cila ka munguar për qytetarët. Ne jemi themeluar nën principe të qarta të përgjegjshmërisë dhe vendosjes së drejtësisë’’, tha Gjylameti.

Sipas deputetes së PS-së, mazhoranca ka bërë përpjekjet maksimale demokratike për të luftuar padrejtësitë.

“Detyrimi ynë që në këto 8 vite ka qenë me përpjekjen më maksimale demokratike dhe qytetare, vjen si rezultat i luftës që ne kemi patur me padrejtësinë e të shkuarës, me institucionin e munguar së marrjes së përgjegjësive dhe ndëshkueshmërisë. Hapi sotëm shkon përtej votimit të kandidaturës së Altin Binajt, hapi sotëm është energjia që ne japim për të ndërtuar 1 orë e më parë institucionet reformuese të drejtësisë”, thekson Gjylameti.

“Kuvendi Shqipërisë ka kryer sot detyrën sovrane të votimit të tre kandidaturave, duke pritur tanimë propozimet e institucionit të Presidentit dhe KED dhe nga ana tjetër shënjon bashkëpunimin në kohë me interesin qytetarë për ta përfunduar brenda afatin këtë proces kyç të reformës në drejtësi’’, shprehet Gjylameti.

Manja: Me të njëjtën frymë bashkëpunimi si me Kuvendin, Presidenti dhe KED të plotësojnë vakancat e mbetura

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha se “me votimin e z. Altin Binaj për anëtar të Gjykatës Kushtetuese me 96 vota pro, Kuvendi, plotësoi 3 vakancat që i takojnë në këtë gjykatë”.
“I takon Presidentit dhe KED që me të njëjtën frymë bashkëpunimi si me Kuvendin, të plotësojnë vakancat e mbetura për ta bërë funksionale Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Manja.
Fraksion.com