AktualitetTë fundit

Komiteti i ekspertëve të Turqisë dhe Shqipërisë; Rama: Garanci e fitores kundër COVID; Kemi sistem të qëndrueshëm

 Kryeministri Edi Rama theksoi sot garancia e kësaj lufte të përbashkët kundër COVID-19, nuk janë politikanët, por janë ekspertët, dhe sa më shumë strategjia e kësaj lufte të diktohet nga opinioni i tyre, aq më shumë përpjekja e qeverive dhe shteteve funksionon.Në fjalën e tij në një komunikim online me komitetin e ekspertëve të Shqipërisë e Turqisë për situatën e COVID-19, Rama tha se “besoj shkon më së miri fjala e Kemal Ataturkut i cili thoshte se ‘njerëzimi është një trup i vetëm dhe çdo komb është pjesë e këtij organizmi’”.

“Mbase asnjëherë më parë në jetën tonë kjo shprehje e famshme e Ataturkut nuk ka gjetur një përputhshmëri kaq të plotë me kohën e pandemisë, një agresion mbi të gjithë njerëzimin që ka treguar se kufijtë dhe të gjitha dallimet e jetës sonë të përditshme nuk kanë asnjë vlerë. Faktikisht fjala ka ardhur tek shëndeti dhe fatet tona janë të ndërlidhura pashmangmërisht të gjitha bashkë”, – u shpreh Rama.

“Ne jemi të vetëdijshëm se kjo është një luftë që asnjë vend pavarësisht madhësisë, mundësive dhe fuqisë së vet nuk mund ta fitojë dot i vetëm, por përkundrazi sa më shume të komunikojmë, të veprojmë, të bashkërendojmë, fuqitë dhe duke shkëmbyer eksperiencat të njehsojmë qasjet ndaj armikut të padukshëm, aq më shumë rritet mundësia e fitores së kësaj lufte duke kursyer aq jetë dhe aq plagë, sa mund të kursehen, jetët e humbura dhe lëndimet nga ky agresion janë të pashmangshme”, – nënvizoi Rama.

Më tej, Kryeministri Rama u shpreh se “ne jemi përpjekur gjatë gjithë kësaj periudhe të mësojmë sa më shumë nga të tjerët dhe një nga vendet që e kemi ndjekur me vëmendje dhe që kemi pasur mundësinë që të kemi komunikim të vazhdueshëm e shkëmbim të vazhdueshëm eksperiencash është edhe Turqia”.

“Besoj që garancia e kësaj lufte të përbashkët nuk janë politikanët, por janë ekspertët dhe sa më shumë strategjia e kësaj lufte të diktohet nga opinioni i tyre, aq më shumë përpjekja e qeverive dhe shteteve funksionon”, – u shpreh Rama.

“Komiteti shkencor i Turqisë ka një meritë të veçantë, se Turqia falë ekspertizës dhe parapërgatitjes së ekspertëve të vendit mik, ishte një prej vendeve më të përgatitura në momentin e shfaqjes së këtij armiku të padukshëm dhe në fazën e parë nuk ishin të pakta vendet, edhe ato shumë të mëdha dhe me burime të mëdha financiare e njerëzore, që u gjendën në vështirësi të jashtëzakonshme”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “Turqia mori një sërë masash të distancimit social edhe përpara se OBSH të klasifikonte COVID-19 si pandemi botërore. Duke ndërtuar këtë barrierrë njerëzore depërtimi i sëmundjes në Turqi mori shumë më tepër kohë se në vendet e tjera, e patjetër që i dha kohë qeverisë, institucioneve, sistemit që të përgatitej më mirë”.

”Që në 2019 Turqia e kishte një plan kombëtar për përballimin e pandemive edhe kjo është diçka që e ka veçuar në këtë betejë Turqinë dhe në krahasim me shumë vende të tjera u gjendën në befasi. Nga ana tjetër jemi duke ndjekur me shumë vëmendje disa prej vendeve që kemi marrë në konsideratë. Mësuam se Turqia ishte ndër vendet e para që ngriti zyrën e parë operacionale të ekspertëve dhe taskforcën. Kjo na ndihmoi dhe ne të veprojmë me shumë shpejtësi në këto dy drejtime dhe të ishim fatmirësisht ndër vendet e përgatitur në përballjen e parë, që ishte edhe befasia e madhe që kërcënonte të shkaktonte një numër të konsiderueshëm viktimash, por mbi të gjitha edhe një kaos në sistemin tonë shëndetësor”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama falënderoi edhe ekipin e Komitetit Teknik të Ekspertëve të Shqipërisë, ndërsa theksoi se “në valën e parë Shqipëria ishte një nga vendet me numrat më të ulët në Europë sa i përket fataliteteve dhe vendi më pak i prekur në rajon sa i takon të gjithë të dhënave që merren në konsideratë në këtë rast”.

“Ne shfrytëzuam çdo ditë për të përgatitur strukturën e nevojshme spitalore për muajt në vijim dhe fazat e tjera”, – vijoi Rama.

“Sot ne jemi në kushtet kur mund të vazhdojmë të themi se sistemi është i qëndrueshëm se nevojat për t’u hospitalizuar nuk ndeshen në pamundësi, se rrjeti i ngritur i strukturave që trajtojnë COVID ka një hapësirë të konsiderueshme zgjerimi sipas nevojës”, – shtoi Rama.

Kryeminisitri tha se “kishim fatin që të kemi gjatë gjithe kohës një Komitet Eksepertësh që nuk kanë treguar në asnjë moment se kanë diçka më pak sesa ekspertët dhe strukturat e ekspertizës në vendet e zhvilluara”.

 

Fraksion.com