AktualitetPolitikëTë fundit

Takimi me Vjosa Osmanin, Presidenti Meta: Vullnet për të forcuar bashkëpunimin. Mbështetje për ish-drejtuesit e Kosovës dhe UÇK-së

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka uruar mirëseardhjen në Tiranë ushtrueses së detyrës së Presidentit të Kosovës Vjosa Osmani, duke i shprehur vullnetin për bashkëpunim dhe mbështetjen për ish-drejtuesit e Kosovës dhe UÇK-së.

Meta tha se gjatë takimit, kanë vlerësuar të gjitha mundësitë që e bëjnë edhe më konkret bashkëpunimin mes dy vendeve tona, veçanërisht me konkretizimin e partneritetit strategjik në mënyrë që të jemi një shembull edhe për sa i takon standardeve të demokracisë, por njëkohësisht për sa i takon përparimit të procesit të integrimit europian në rajonin tonë.

“Ishte një kënaqësi e veçantë. I urova përzemërsisht mirëseardhjen dhe e kam siguruar për dëshirën dhe vullnetin tim të palëkundur për të kontribuuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona vëllazërore dhe për të lehtësuar maksimalisht bashkëpunimin tonë duke vënë të gjitha energjitë dhe mundësitë ende të pashfrytëzuara në shërbim më të mirë të së ardhmes së dy vendeve tona dhe jo vetëm. Dua ta falënderoj presidenten Osmani për sinqeritetin dhe vullnetin e saj për ta forcuar këtë bashkëpunim sidomos për çështjet më jetike për vendet tona, për qytetarët tanë, për të rinjtë tanë por edhe në rrafshin rajonal dhe më gjerë.

Vlerësuam të gjitha mundësitë që e bëjnë edhe më konkret bashkëpunimin mes dy vendeve tona, veçanërisht me konkretizimin e partneritetit strategjik në mënyrë që të jemi një shembull edhe për sa i takon standardeve të demokracisë, por njëkohësisht për sa i takon përparimit të procesit të integrimit europian në rajonin tonë. Marrëdhëniet shumë të mira ndërshtetërore kanë nevojë të gjenerojnë më shumë mundësi praktike në mënyrë që kufiri ndërshtetëror të bëhet i padukshëm, por dhe qytetarët tanë, bizneset, artistët, sportistët, intelektualët, njerëzit e shkencës, të rinjtë tanë edhe më shumë të afrohen dhe të shkëmbejnë eksperienca me njëri-tjetrin, dije, përvojë, kulturë dhe unë besoj se kjo do ndodhë më mirë në të ardhmen”, deklaroi Meta.

Kreu i Shtetit siguroi presidenten Osmani vijimin e mbështetjes me të gjitha energjitë, dhe ai vetë në mënyrë të veçantë edhe si kryetar i shtetit për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës sepse jemi të bindur jo vetëm në legjitimitetin e saj të plotë ndërkombëtar, por edhe në faktin se një Kosovë me integritetin e plotë territorial, sa më parë anëtare e OKB-së i shërben sigurisë dhe zhvillimit të rajonit dhe vendeve tona.

“Shpreha mbështetjen për ish-drejtuesit e institucioneve të Kosovës dhe të UÇK-së si dhe gatishmërinë e plotë të tyre për t’u përballur me drejtësinë në mënyrë për të konfirmuar edhe njëherë drejtësinë e luftës së popullit të Kosovës përballë gjenocidit serb në zemër të Europës.

Vlerësova qëndrimin e matur, unitetin e shfaqur nga të gjithë, në këto çaste të rëndësishme për të vijuar funksionimin e institucioneve në mënyrë demokratike por edhe për përballimi ne sfidave me të cilat përballet shteti i Kosovës. Një ndër më të rëndësishme dhe më kritiket është vetë sfida e pandemisë globale COVID-19, pasojat e rënda për qytetarët e Kosovës, por edhe për gjithë qytetarët tanë dhe në këtë drejtim ne kemi treguar vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar më ngushtë, mes dy vendeve e institucioneve tona në mënyrë që ta kapërcejmë me një kosto sa më të lehtë këtë betejë të përbashkët madhore. Në këtë drejtim shpresojmë që të bashkëpunohet më shumë dhe për sigurimin e vaksinës për qytetarët tanë në mënyrat më të dobishme, më të shpejta dhe më të sigurta. I shpreha falënderimet presidentes Osmani për atë fluks të jashtëzakonshëm që vumë re dhe gjatë sezonit veror të pushuesve nga Kosova në Shqipëri që zgjodhën Shqipërinë dhe dhanë kontributin për të lehtësuar turizmin.
Besoj që kjo është një vizitë që do na ndihmojë të gjithëve të bashkëpunojmë më ngushtë por edhe për sfidat afatgjata”, deklaroi Meta.

 

Fraksion.com