AktualitetTë fundit

Prokuroria e Tiranës: Nuk ka patur përdorim dhune ndaj 25-vjeçarit Klodian Rasha

Prokuroria e Tiranës deklaroi sot se në bazë të provave të pakundërshtueshme të administruara, nuk ka patur përdorim dhune ndaj 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Në një njoftim për shtyp Prokuroria theksoi se “nisur nga reagime të ndryshme, në mediet audiovizive dhe ato të shkruara, në lidhje me pretendimet për konflikt fizik, keqtrajtim të kufomës, përpara ndjekjes, gjatë ndjekjes dhe pas goditjes me armë zjarri nga autori i ngjarjes apo persona të tjerë, e ndjejmë me vend të sqarojmë, duke respektuar dispozitat e Kodit të Procedures Penale për sekretin hetimor, se në bazë të provave të pakundërshtueshme, të administruara, nuk ka patur përdorim dhune.”

“Grupi hetimor, krahas hetimit në lidhje me identifikimin e mekanizimit të ngjarjes si dhe të përgjegjësisë ligjore te autorit të ngjarjes, ka kryer dhe është në vijim të kryerjes të veprimeve hetimore që kanë për objekt identifikimin e autorësisë të armës së zjarrit të gjetur në rrugën “At Zef Valentini”, si dhe mekanizimit të rrethanave të gjetjes së saj. Jemi në rang të kryerjes së veprimeve të plota hetimore dhe garantojmë opinionin publik për pavarësinë e tyre, në respektim të plotë të normave procedurale në fuqi”, – theksohet në njoftim.

Prokuroria e Tiranës shpreh gatishmërinë në përmbushjen e detyrave kushtetuese, duke i kërkuar opinionit publik, medias vizive dhe asaj të shkruar dhe veçanërisht familjarëve të të ndjerit Klodian Rasha, besim të plotë në një hetim objektiv dhe të shpejtë, me qëllim vënien në përgjegjësinë e duhur penale të autorit dhe dënimin e tij sipas ligjit.

Duke dhënë detaje mbi ecurinë e hetimeve që ka të bëjë me vrasjen e shtetasit Klodian Rasha nga punonjësi i policisë Nevaldo Hajdaraj, si dhe duke respektuar dispozitat e Kodit te Procedurës Penale në lidhje me sjelljen e subjekteve proceduriale penale në raport me kryerjen e një vepre penale, Prokuroria e Tiranës tha se “që nga momenti i parë, veprimet hetimore janë kryer në kontrollin e Prokurorisë, sipas normave procedurale”.

“Është krijuar grupi hetimor, i përbërë nga shërbimet e policisë gjyqësore të strukturave të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, Drejtoria, Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, të cilët menjëherë pas njoftimit për ngjarjen e sipërcituar kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes. Grupi hetimor, në vendin e ngjarjes si dhe në ditët në vijim kanë realizuar veprimet e para hetimore të domosdoshme dhe të nevojshme, që kanë të bëjnë me këqyrjen e vendit të ngjarjes, këqyrjen e kufomës, pyetje të shtetasve të ndryshëm, marrjen dhe ekzaminimin e pamjeve filmike, si dhe veprime që kanë të bëjnë me identifikimin e mekanizimit të ngjarjes dhe të veprimeve të kryera nga subjektet proceduriale, autori i veprës penale, viktima si dhe subjekte të tjera”, nënvizoi Prokuroria.

Prokuroria u shpreh se “pas ngjarjes së ndodhur, dhe deri tani, janë realizuar një sërë veprimesh hetimore, shteruese, ezauruese, efikase, të pandikuara dhe pa pjesëmarrjen në kryerjen e këtyre veprimeve, të shërbimeve të strukturave të Policisë së Shtetit, me qëllimin e vetëm, identifikimin sa më të plotë, shkencor dhe teknik të mekanizimit të ngjarjes si dhe të identifikimit të përgjegjësisë penale të autorit të ngjarjes”.

“Kryerja e veprimeve hetimore në drejtim të mekanizimit të ngjarjes, dhe identifikimit të përgjegjësisë penale të autorit, ku deri në këtë njoftim, shprehemi të bindur se veprimet hetimore në lidhje me këto rrethana janë në përfundim të tyre, dhe mekanizmi i ngjarjes është i qartë dhe i zbardhur në mënyrë të plotë, dhe do reflektohet me ndryshimin e kualifikimit ligjor të veprës së kryer”, tha Prokuroria.

 

Fraksion.com