AktualitetNATO/BETë fundit

NATO bën thirrje për “zgjidhje pozitive” pas sanksioneve të SHBA-ve ndaj Turqisë

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, u bëri thirrje aleatëve të gjejnë një “zgjidhje pozitive” pasi SHBA vendosi të imponojë sanksione ndaj Turqisë për shkak të blerjes së sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore S-400.

“Unë u bëj thirrje të gjithë aleatëve të NATO-s dhe Turqisë të kërkojnë nëse ka mënyra për të gjetur një zgjidhje pozitive”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për media në Bruksel me kryeministrin e Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç.

“Më vjen keq që jemi në një situatë ku aleatët e NATO-s duhet të vendosin sanksioneve ndaj njëri-tjetrit”, shtoi ai.

Sanksionet e SHBA-së

Departamenti i Thesarit i SHBA-së vendosi të hënën sanksione ndaj Turqisë lidhur me blerjen e sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400.

Sanksionet që vijnë nën Aktin e Luftimit të Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA) shënjestrojnë Presidencën e Industrive të Mbrojtjes së Turqisë (SSB), përfshirë kreun e saj, İsmail Demir, dhe tre zyrtarë të tjerë.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo, në një deklaratë tha se SSB me vetëdije u përfshi në një transaksion të rëndësishëm me Rosoboronexport, njësia kryesore e eksportit të armëve të Rusisë, duke blerë sistemin e raketave ajrore S-400.

“Sanksionet përfshijnë ndalimin e të gjitha licencave dhe autorizimeve të eksportit të SHBA-së dhe ngrirjen e aseteve dhe kufizimeve të vizave ndaj Dr. İsmail Demir, kreut të SSB-së, si dhe oficerëve të tjerë të SSB-së”, tha Pompeo në deklaratën me shkrim.

Presidenti amerikan, Donald Trump, në qershor të vitit 2019 tha se paraardhësi i tij, ish-presidenti Barack Obama, e ka trajtuar Turqinë në mënyrë të padrejtë kur Ankaraja kërkoi të blente sistemet e mbrojtjes raketore amerikane Patriot.

Në prill 2017, kur përpjekjet e tij të zgjatura për blerjen e sistemit të mbrojtjes ajrore nga SHBA-ja u treguan të pafrytshme, Turqia nënshkroi kontratë me Rusinë për të blerë sistemin mbrojtës S-400.

Duke kundërshtuar vendosjen e sistemit rus, zyrtarët amerikanë pretenduan se ata do nuk do të jenë në pajtueshmëri me sistemet e NATO-s dhe do të ekspozonin avionët e gjeneratës së ardhshme F-35 ndaj manipulimit të mundshëm rus.

Turqia, megjithatë, theksoi se S-400 nuk do të integrohej në sistemet e NATO-s dhe nuk përbënte asnjë kërcënim për aleancën ose armatimet e saj.

Turqia gjithashtu propozoi një komision për të sqaruar çdo çështje teknike, por SHBA-ja nuk ka arritur të përgjigjet.

Ankaraja gjithashtu ka hedhur poshtë sugjerimet nga udhëheqësit e SHBA-së që të lënë sistemin rus S-400 joaktiv për të shmangur sanksionet.

S-400 shihet si një nga sistemet më të përparuara të raketave në botë, i aftë të gjurmojë disa objektiva njëkohësisht./AA

 

Fraksion.com