AktualitetBota+Të fundit

Biden: Demokracia “u vu në provë”, por qëndroi e fortë

Presidenti i zgjedhur Joe Biden u tha amerikanëve të hënën mbrëma se “vullneti i popullit fitoi,” ndërkohë që pak orë më parë elektorët në mbarë vendin kishin konfirmuar fitoren e tij në zgjedhjet e muajit të kaluar me 306 vota elektorale, kundrejt 232 të Presidentit Donald Trump.

Në një fjalim të mbajtur në Uilmington të shtetit Delauer, ai tha se demokracia “u vu në provë dhe u kërcënua, por rezultoi e qëndrueshme, e besueshme dhe e fortë.”

“Sundimi i ligjit, Kushtetuta jonë dhe vullneti i popullit fituan,” tha Presidenti i zgjedhur.

Zoti Biden u kërkoi amerikanëve ta hidhnin vështrimin përtej fushatës së zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për të mos pranuar humbjen.

“Nëse dikush nuk e dinte më parë, tani ne e dimë. Ajo që rreh thellë në zemrat e popullit amerikan është demokracia… Është e drejta për t’u dëgjuar. Që vota juaj të numërohet. Që ju të zgjidhni udhëheqësit e këtij vendi. Që të qeverisni veten,” tha zoti Biden.

Duke iu referuar përpjekjeve të zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve përmes sfidave ligjore që janë refuzuar nga gjykatësit në të gjithë spektrin politik, përfshirë Gjykatën e Lartë, zoti Biden argumentoi se sistemi qeverisës i Amerikës mbetet i paprekur.

“Në Amerikë, politikanët nuk e marrin pushtetin, është populli që ua jep atyre”, tha ai. “Flaka e demokracisë është ndezur në këtë vend shumë kohë më parë. Dhe tani ne e dimë se asgjë, madje as një pandemi, apo një abuzim i pushtetit, nuk mund ta shuajë atë flakë,” tha zoti Biden.

Në fjalimin e tij, Presidenti i zgjedhur tha se fitoi me të njëjtën diferencë votash elektorale si edhe zoti Trump në vitin 2016, duke shtuar se kjo ishte “një fitore e qartë” si atëherë ashtu edhe tani.

Ai vuri në dukje pjesëmarrjen rekord të zgjedhësve në votime dhe tha se kjo pjesëmarrje “duhet të festohet dhe jo të sulmohet”.

Ai u zotua se do të jetë “një president për të gjithë amerikanët.”

“Do të punoj po aq shumë për ata që nuk më votuan, sa edhe për ata që më votuan,” tha zoti Biden.

Trump, me sfida të reja ligjore

Presidenti Trump, ende këmbëngul në mënyrë të pasaktë, se ai ka fituar në zgjedhjet e muajit të kaluar.

“Kjo çështje nuk është mbyllur”, tha zoti Trump për televizionin Fox News në një intervistë të dielën në mëngjes, megjithëse dhjetra padi lidhur me pretendimet e tij se po i mohohet padrejtësisht një mandat i dytë, janë hedhur poshtë nga gjykatat.

“Ne vazhdojmë përpjekjet. Kemi çështje të shumta në shkallë lokale. Ne fituam në Pensilvani. Fituam në Miçigan. Fituam në Xhorxhia me diferencë të madhe”, tha ai.

Pas humbjes së dhjetra sfidave ligjore në nivel shtetëror dhe federal, Presidenti Trump pritet të ngrejë padi gjyqësore të reja këtë javë. Avokati i tij Rudy Giuliani thotë se pret që të ngrihen pesë procese gjyqësore në nivel shtetesh.

Ndërkohë, senatori republikan Ron Johnson i shtetit Uiskonsin pritet të mbajë të mërkurën një seancë mbi parregullsitë në zgjedhje.

Ai ka ngritur pyetje se përse Kongresi nuk ishte informuar për faktin që taksat e djalit të zotit Biden, Hunter, ishin nën hetim federal gjatë gjyqit të presidentit Trump në përpjeket e demokratëve për shkarkimin e tij./VOA

 

Fraksion.com