AktualitetPolitikëTë fundit

PD padit Ardi Veliun në SPAK: Urdhëroi dhunë kundër protestuesve të mitur

Partia Demokratike paditi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu për 5 vepra penale, të kryera gjatë protestave të ditëve të fundit, pas vrasjes nga policia të një të riu 25- vieçar.

Kërkesa e Partisë Demokratike i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që duhet të kërkojë pezullimin e Ardi Veliut nga detyra deri në përfundimin e hetimeve.

Në padinë e dorëzuar në SPAK, Partia Demokratike shprehet se ka argumentuar me detaje sesi Ardi Veliu ka shkelur ligjin, duke kryer të pesta veprat penale si shpërdorim i detyrës, kryerje e veprimeve arbitrare, pengimi në të drejtën për t’u shprehur, grumbulluar dhe manifestuar, dëmtime të tjera me dashje, mosmarrje e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme.

Në padinë penale ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Partia Demokratike vë në dukje se “në protestat paqësore për të kundërshtuar frymën e represionit policor dhe të abuzivizmit qeverisës, është vënë re përdorim i tepruar i dhunës policore, përdorimi në mënyrë të çmendur i gazit lotsjellës. Ai është hedhur në sasi shumë të mëdha në Bulevard dhe në zonat rezidenciale me densitet të lartë qytetarësh, që nuk ishin pjesë e protestës”.

“Duke i vënë në dispozicion SPAK-ut fakte konkrete, në padi theksohet se, me urdhër të Ardi Veliut, është ushtruar dhunë barbare ndaj të miturve, kanë ndaluar në mënyrë abuzive çdo njeri që lëvizte në rrugë, pa qenë pjesë e protestës”, shprehet PD.

“Me anë të këtij kallëzimi, marrim përsipër të bëhemi përçues të zërit të atyre qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, të cilët besojnë se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë dhe që ende kanë shpresën se vetëm zbatimi i Ligjit do ta çojë drejt përsosjes shoqërinë tonë”- i drejtohet Partia Demokratike SPAK-ut, duke i kërkuar marrjen nën hetim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu dhe pezullimin e tij nga detyra”.

Më herët edhe LSI ka vendosur të padisë në Prokurori për shpifje dhe dezinformim eksponentë të mazhorancës, të cilët e akuzuan se ka nxitur pjesëmarrjen e të rinjve në protestë.

“Përgjate 5 ditëve të protestave qytetare, Rilindja është hedhur në sulm për të përbaltur dhe shpifur ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe opozitës se ne paskemi paguar dhe keqpërdorur minorenët për të protestuar dhe për të përdorur dhunë. Sot pushteti dhe Rilindja kërkojnë të mbulojnë vrasjen, dhunën shtetërore, dështimin dhe keq qeverisjen, nëpërmjet shpifjes dhe si gjithmonë gjetjes së fajit të palët e treta. Sot në vend të pendesës dhe mbajtjes së përgjegjësisë, Edi Rama dhe vartësit e tij kërkojnë të dezinformojnë publikun dhe aktorët e tjerë, me qëllim devijimin e të vërtetës dhe realitetit të trishtë që ka pushtuar vendin.

Për këtë arsye LSI ka vendosur të padisë në Prokurori për shpifje dhe dezinformim të gjithë ata që me deklaratat e tyre kanë ushqyer opinionin publik më të pavërteta”, njofton LSI-ja.

 

Fraksion.com