Hakerë të mbështetur nga një qeveri e huaj penetruan Departamentin e Thesarit
Një grup i sofistikuar hakerësh, të mbështetur nga një qeveri e huaj ka vjedhur informacione nga Departamenti i Thesarit dhe një agjenci amerikane që merret me vendime mbi internetin dhe telekomunikacionin, sipas individëve me njohuri mbi ngjarjen.
“Shtetet e Bashkuara janë në dieni të këtyre njoftimeve dhe po marrin të gjitha masat e nevojshme për të indentifikuar dhe ndrequr ndonjë problem që mund të jetë shkaktuar,” tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Ullyot.
Në radhët e komunitetit të zbulimit ka shqetësim se hakerët që vunë në shenjestër Administratën Kombëtare të Telekomunikacionit dhe Informacionit pranë Departamentit të Thesarit mund të kenë përdorur mjete të ngjashme për të penetruar edhe në informacionin e agjencive të tjera, thanë burimet e këtij lajmi.
Ky akt hakerimi ishte aq serioz sa që çoi në organizimin e një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të shtunën në Shtëpinë e Bardhë, tha një person që ishte në ndieni të ngjarjes.
Ndërhyrja preku sistemin e operimit Microsoft’s Office 365 të Administratës Kombëtare të Telekomunikacionit dhe Informacionit. Sipas burimeve, emailet e personelit në këtë dikaster po përgjoheshin prej muajsh nga hakerët.
Një zëdhënës i kompanisë Microsoft nuk u përgjigj menjëherë pas kërkesës për komente.
Hakerët duket të kenë qenë “shumë të sofistikuar” dhe të aftë të manipulojnë pengesat e sistemit të Mocrosoftit për të konfirmuar vërtetësinë e autorit, sipas një burimi që është në dieni të incidentit. Personi foli me kusht që të mbetej anonim, pasi nuk lejohet të komentojë për median.
“Kemi të bëjmë me një sulm nga një vend tjetër. Por ende nuk e dimë se kush,” tha një tjetër person i cili kishte qenë në një seancë informimi mbi incidentin.
Nuk janë të qarta përmasat e plota të ndërhyrjes. Hetimi është ende në fazat fillestare dhe përfshin një numër agjencish federale, ndër to edhe FBI-në, thanë tre individët me njohuri për ngjarjen.
FBI-ja, enti për sigurinë kibernetike pranë Departamenti të Sigurisë Kombëtare, e njohur si CISA si dhe Agjencia për Sigurinë Kombëtare nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për komente.
Fraksion.com