Dita e pestë: Protestuesit me gurë ndaj policisë, kundërpërgjigjen blutë me ujë e gaz lotsjellës
Protesta për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie ka vijuar mbrëmjen e sotme në ditën e pestë. Tubimi i të rinjve nisi fillimisht në sheshin “Skëndërbej”, aty ku efektivët e Policisë së Shtetit u kanë bërë thirrje që të zbatojnë aktin normativ për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, i cili parashikon ndër të tjera edhe mos grumbullimin e qytetarëve më shumë se 10 persona.
Pas disa minutash, ata kanë vijuar përgjatë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ në drejtim të kryeministrisë, ku mes protestuesve kishte edhe minorenë, por edhe ish-deputetë të LSI-së, Floida Kërpaçi dhe Përparim Spahiu.
Kërpaçi ka theksuar se është në protestë si qytetare e thjeshtë. “Jam në të njëjtën moshë me të ndjerin. Është përgjegjësi për ne që të jemi këtu, për të kuptuar se ajo që ndodhi me Klodianin mund të ndodhte edhe me ne, pasi policia nuk të jep siguri, nuk të jep mundësi të marrim frymë lirisht. Unë s’jam për politik, por jam si qytetare në këtë protestë. Vi si një e re këtu në këtë tubim, në këtë marshim paqësor, sepse ajo që i ndodhi Klodianit mund t’i ndodhte kujtdo”,- tha Kërpaçi.
Pas qëndrimit disa minuta në bulevard, protestuesit janë shpërndarë në disa akse rrugore duke hyrë në trafik në sensin e kundërt të automjeteve dhe në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku situata precipitoi sërish në akte dhune. Disa protestues sulmuan me gurë dhe mjete të forta efektivët e Policisë së Shtetit.
Efektivët iu kundërpërgjigjën sulmit të tyre të dhunshëm duke përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.
Edhe gjatë protestës së mbrëmjes së sotme nuk munguan akte të tjera dhune nga pjesëmarrësit të cilët thyen semaforët dhe tabelat e qarkullimit rrugor.
Protestuesit u rikthyen sërish në sheshin “Skënderbej”, ku kanë tentuar të heqin gardhin metalik të vendosur rreth pemës së Krishtlindjeve. Punonjësit e Policisë kanë ndërhyrë duke i shpërndarë pjesëmarrësit e protestës me gaz lotsjellës.
Fraksion.com