Hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e tunelit të Llogorasë; Balluku: Procesi mbyllet më 12 shkurt
Hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e tunelit të Llogorasë, punimet për të cilin pritet të nisin para sezonit veror 2021. Ky është një projekt i cili plotëson rrjetin infrastrukturor drejt jugut të vendit duke lehtësuar aksesin dhe rritur sigurinë në udhëtim.
“Një vepër e cila i përgjigjet strategjisë sonë të turizmit duke shkurtuar distancën drejt bregdetit të jugut për të gjithë vizitorët vendas e të huaj, si dhe duke i dhënë hov zhvillimit të mëtejshëm turistik të rivierës shqiptare”,- u shpreh kryeministri Rama duke përcjellë momente nga hapja e garës.
Mnistrja e Infrastrukturës Belinda Balluku njoftoi mbrëmjen e sotme hapjen e garës ndërkombëtare për ndërtimin e tunelit të Llogorasë, duke u shprehur se kjo vepër do të krijojë një gjerdan infrastrukturor në jug të vendit.
“Gara hapet pas përfundimit të studimit inxhinierik, nga një kompani e vendosur në Vienë me eksperiencë në fushën e ndërtimit të tuneleve. Tuneli i Llogorasë ka qenë ëndërr e të gjitha qeverive, është premtuar prej shumë prej tyre, është çelës i suksesit për strategjinë e turizmit në jug të vendit. Ka qenë shpesh premtim electoral, i qeverive të tjera, por kjo do bëhet realitet në qeverinë Rama. Ne kemi dizenjuar rekuizite të mira dhe të qëndrueshme që na garantojnë që në përfundim të tenderit 60-ditësh, një konsorcium kompanish, apo një kompani do ta na dorëzojë projektin brenda afatit”,- u shpreh Balluku.
“Kemi treguar të gjitha detajet dhe vetitë që do të ketë ky projekt. Kompania do ta dorëzojë këtë vepër sipas afatit dhe mbi të gjitha me kushtet e vendosura. Kemi vendosur që prezantimin ta bëjmë publik dhe jo thjesht të hapim një tender”,- tha Balluku.
“Tuneli hap një portë të re në jug të vendit, që synon ta kthejë jugun e Shqipërinë në një atraksion turistik jo vetëm për vendin por për të gjithë rajonin dhe pse jo edhe për Mesdheun. Nis me aeroportin e Vlorës që presim të përfundojmë garën në 23 dhjetor, me shpresën për të patur një konsorcium fitues. Po ashtu, bypass-i i Vlorës që do lidhë aeroportin me zonën tjetër është duke ecur me hapa të shpejtë. Sot që flasim kemi kaluar mbi 55% të punimeve, urat kryesore janë të lidhura, po vijon asfaltimi. Dhe perla e të gjithë këtij gjerdani është tuneli i Llogarasë”,- tha ajo.
“I gjithë procesi mbyllet në muajin shkurt, brenda 12 shkurtit 2021. Në fillim të muajit mars firmoset kontrata me kompaninë fituese dhe menjëherë nis puna para verës së këtij viti”,- tha Balluku.
Fraksion.com