AktualitetTë fundit

Vrasja e Klodian Saliut; Kapet në Dubai i kërkuari Plaurent Dervishaj, ish anëtar i bandës së Durrësit

Plaurent Dervishaj, njeriu që është shpallur në kërkim nga prokuroria e Posaçme SPAK për ekzekutimin e Klodian Saliut në 26 shkurt 2005, mësohet se është arrestuar në Dubai.

Ndalimi i Dervishaj dyshohet se është kryer nga policia e Dubait, pas kërkesës së prokurorisë së Posaçme SPAK, për arrestimin dhe ekstradimin e tij në Shqipëri. Lajmi për arrestimin e Dervishaj ende nuk është bërë publik nga SPAK, por burime policore kanë konfirmuar për “Shqiptarja.com”, se Dervishaj është arrestuar në Dubai.

Shpallja në kërkim e Dervishaj është bërë pas rrëfimit të Luftar Reccit, i cili ka treguar dinamikën e vrasjes së Klodian Saliut, vrasje në të cilën bashkëpunëtori i drejtësisë, ka treguar se ka marrë vetë pjesë, së bashku me Indrit Taullaun, Plaurent Dervishaj.

Ndërsa sipas Luftar Recit, Lulzim Berisha ishte njeriu që i kishte propozuar vrasjen e ish-mikut të tij Saliu, në këmbim të vrasjes së hasmëve të Luftar Reccit. Me arrestimin e Plaurent Dervishaj, tashmë personi i vetëm që vijon të jetë në kërkim është Lulzim Berisha. Lidhur me arrestimin e Dervishaj në Dubai, “Shqiptarja.com”, kërkoi të marrë një njoftim zyrtar nga drejtues Arben Kraja, por ky i fundit refuzoi të përgjigjet.

 

Fraksion.com