VOA: Presidenti Trump vazhdon përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump vazhdoi të enjten me përpjekjen e tij pa gjasa për sukses për të përmbysur humbjen e tij ndaj Presidentit të zgjedhur Joe Biden, duke u takuar në Shtëpinë e Bardhë me prokurorët e përgjithshëm të shteteve republikane të cilët po mbështesin një padi të ngritur nga shteti i Teksasit në Gjykatën e Lartë, që po përpiqet të bëjë të pavlefshme miliona vota në shtetet ku ka fituar zoti Biden.
Disa ekspertë ligjorë thanë se padia nuk kishte shanse për sukses, por zoti Trump tha në Twitter, se “Gjykata e Lartë ka një shans për të shpëtuar vendin tonë nga abuzimi më i madh i zgjedhjeve në historinë e Shteteve të Bashkuara”.
The Supreme Court has a chance to save our Country from the greatest Election abuse in the history of the United States. 78% of the people feel (know!) the Election was RIGGED.
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) December 10, 2020
Twitter e shoqëroi postimin me shënimin se “pretendimi i zotit Trump në lidhje me mashtrimin e zgjedhjeve është i pasaktë”. Twitter e shoqëroi me të njëjtin shënim edhe një pretendim se zgjedhjet e 3 nëntorit ishin “më të korruptuarat në histori, deri tani. Ne fituam !!!”
Great. Most corrupt Election in history, by far. We won!!! https://t.co/nGMMaRQmz8
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) December 10, 2020
Por Presidenti Trump, pasi ka humbi dhjetëra sfida gjyqësore ndaj fitores së zotit Biden në disa shtete që përcaktuan rezultatin e zgjedhjeve, e ka përqendruar përpjekjen e tij për të ruajtur pushtetin në padinë e Teksasit, e cila u soll në gjykatën e lartë të Shteteve të Bashkuara nga një prej mbështetësve e tij, Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton.
Padia e zotit Paxton kërkon që të zhvlerësohen rezultatet në katër shtetet kryesore që i fitoi zoti Biden – Xhorxhia, Pensilvania, Miçigani dhe Uiskonsin – me një total prej 62 votash elektorale. Kolegji Zgjedhor dhe jo vota popullore, përcakton fituesin në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, me 270 vota elektorale të nevojshme për të siguruar shumicën.
Nëse rezultatet aktuale qëndrojnë, zoti Biden do të zgjidhet me 306 vota elektorale përballë 232 votash të presidentit Trump. Të hënën anëtarë e kolegjit zgedhorë të 50 shteteve votojnë në kryeqytetet përkatëse për presidentin e ri. Kongresi duhet të rishikojë dhe certifikojë rezultatin e Kolegjit Zgjedhor më 6 Janar, në një veprim që normalisht është rutinë.
Megjithatë presidenti Trump ka telefonuar disa ligjvënës republikanë që të shohë nëse ndonjëri prej tyre mund të kundërshtojë listën e zgjedhësve elektoralë nga shtetet ku zoti Biden fitoi me epërsi të lehtë. Nëse një anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe një anëtar i Senatit kundërshtojnë rezultatin e një shteti, i gjithë Kongresi duhet të votojë nëse do të certifikojë elektorët e atij shteti.
Kjo do të detyronte ligjvënësit republikanë – shumë prej të cilëve kanë shmangur mbajtjen e një qëndrimi mbi zgjedhjet për javë të tëra – të pranojnë rezultatet e votimit ose të mbështesin përpjekjen e zotit Trump për të përmbysur rezultatin.
Anëtari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Mo Brooks nga Alabama ka thënë se ai do ta sfidojë fitoren e zotit Biden, por është e paqartë nëse ndonjë senator do të bashkohet me sfidën e tij.
Nëse Kongresi vërteton rezultatin e Kolegjit Zgjedhor, inaugurimi i zotit Biden është caktuar për mesditën e 20 janarit në shkallët e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Trump as nuk e ka pranuar humbjen, dhe as nuk ka thënë nëse ai planifikon të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të pasardhësit të tij.
Të martën, Gjykata e Lartë refuzoi një kërkesë nga Republikanët e Pensilvanisë për të përmbysur fitoren e zotit Biden me 81,000 vota në atë shtet, duke shënuar herën e parë që gjykata e lartë e vendit kishte shprehur opinionin e vet për këto zgjedhje.
Vendimi ishte i fundit mes dhjetra humbjeve ligjore në të gjithë vendin për zotin Trump dhe fushatën e tij ndërsa ai përpiqet të qëndrojë në detyrë për katër vjet të tjerë.
Shtatëmbëdhjetë shtete, ku fitoi zoti Trump, shprehën mbështetje për padinë e zotit Paxton në një padi në gjykatë të mërkurën.
Padia e zotit Paxton bazohet në një sërë pretendimesh për parregullsi në votim dhe numërim votash që tashmë janë refuzuar kryesisht në çështje gjyqësore të veçanta në gjykatat e shtetit dhe ato federale. Por zoti Trump ka vazhduar me pretendimet e tij.
“Ka prova masive mashtrimit të përhapur në të katër shtetet (plus) të përmendura në padinë e Teksasit,” pretendoi zoti Trump në Twitter. “Vetëm shikoni të gjitha kasetat dhe deklaratat!”
There is massive evidence of widespread fraud in the four states (plus) mentioned in the Texas suit. Just look at all of the tapes and affidavits!
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) December 9, 2020
Trump tha se “së shpejti do të mësojmë për fjalën ‘guxim’ dhe do të shpëtojmë vendin tonë. Kam marrë qindra mijëra vota ligjore më shumë, në të gjitha shtetet e pavendosura, sesa kundërshtari im. Sipas TË GJITHA të dhënave të marra pas votimi ishte e pamundur për mua të humbja, përveç nëse MANIPULOHEN! “
Paxton pretendon se zyrtarët e zgjedhjeve në katër shtetet që ai paditi përdorën pandeminë COVID-19 si një justifikim antikushtetues për të anashkaluar legjislaturat e tyre shtetërore në vendosjen e rregullave zgjedhore, “duke dobësuar kështu integritetin e votave.”
Ankesa e Paxton i kërkon gjykatës të zgjasë afatin për votimin e Kolegjit Zgjedhor përtej të hënës dhe të mos lejojë zgjedhësit nga katër shtetet, të cilët janë zotuar të votojnë për zotin Biden meqë ai fitoi votën popullore në këto shtete. Paxton kërkoi nga Gjykata e Lartë që në vend të kësaj të lejojë legjislaturat e shtetit të caktojnë zgjedhës, me sa duket ata që favorizojnë zotin Trump.
Gjykata e Lartë u dha katër shteteve kohë deri të enjten për t’iu përgjigjur padisë së zotit Paxton, por prokurorët e tyre të përgjithshëm të shteteve e hodhën poshtë përpjekjen ligjore të zotit Paxton si të gabuar.
“Me gjithë respektin, Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit e ka gabim në nivel kushtetues, ligjor dhe faktik për Xhorxhian” tha një zëdhënëse e Chris Carr, Prokurori i Përgjithshëm Republikan i Xhorxhias.
Prokurorët e përgjithshëm Dana Nessel nga Miçigan, Josh Shapiro nga Pensilvania dhe Josh Kaul nga Uiskonsin – të gjithë demokratë – e quajtën padinë e Paxtonit një përpjekje për të “mashtruar publikun dhe për të shkatërruar strukturën e Kushtetutës sonë”.
“Ka ardhur koha që presidenti dhe shtetet dhe zyrtarët e zgjedhur të ndalin mashtrimin e publikut për zgjedhjet e këtij viti dhe të pranojnë që rezultatet e certifikuara në shtetet tona pasqyrojnë vendimet e marra nga votuesit në një mënyrë të lirë, të ndershme dhe zgjedhje të sigurta,” deklaruan ata.
Stephen Vladeck, një profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Teksasit, tha për përpjekjen ligjore të zotit Paxton në Twitter, “Duket sikur kemi një udhëheqës të ri në ‘procesin gjyqësor më të çmendur të ngritur për të sfiduar zgjedhjet'”.
Richard Hasen, një ekspert i ligjit të zgjedhjeve në Universitetin e Kalifornisë, Irvine, e quajti padinë e zotit Paxton një “njoftim shtypi maskuar si një proces gjyqësor”, në një postim në blog duke shpjeguar pikëpamjen e tij se pse padia do të dështonte.
Fraksion.com