Sulm kibernetik ndaj ueb-faqes së Trustit
Ueb-faqja e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës ka qenë cak i sulmeve kibernetike, në ditën kur është paraparë të nisë aplikimi online, për tërheqjen e 10 përqindëshin e kursimeve nga Fondi Pensional, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga ky institucion.
“Bëhet fjalë për sulm kibernetik dhe jo mbingarkesa nga qytetarët. Besoj se për disa minuta faqja do rregullohet”, tha kryesuesi i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale, Ruzhdi Morina.
“Nuk e dimë se nga kush është sulmuar, por e dimë që ka sulme kibernetike”, shtoi ai.
Morina tha po ashtu se tani po punohet në ndërrimin e platformës së sigurisë dhe se në ndërkohë është dashur të blihet “ekstra mbrojtje”.
Ndërkohë zyrtarë të Fondit Pensional kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kanë funksionalizuar një faqe të repër aplikim.
Ajo është thënë të jetë e besueshme dhe se vetëm brenda gjysmë ore përmes saj kanë aplikuar për tërheqje të fondeve mbi 30,000 qytetarë të Kosovës.
Procesi i aplikimit online ishte paraparë që të niste nga ora 15:00, por faqja e internetit ka rënë nga funksioni qysh para orës 15:00.
Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, qytetarët do të kenë mundësi që të tërheqin vetëm 10 për qind të shumës së siguruar për kursime pensionale, që kanë fituar gjatë kohës sa kanë punuar, por edhe në bazë të vlerës së pagës që marrin.
Aplikimi online do të zgjasë katër muaj.
Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: pesë për qind të shumës së përgjithshme të pagës e paguan punëdhënësi nga buxheti i tij, kurse pesë për qind paguhet nga paga e punëtorit.
Fraksion.com