AktualitetTë fundit

“Protestuesit prekin thesaret e kombit”; Dëmtohen për herë të parë në 30 vjet: Muzeu dhe Biblioteka mbyllin dyert

Për herë të parë që kur në vendin tonë qytetarët kanë ushtruar të drejtën e tyre legjitime për të protestuar, janë dëmtuar edhe institucione si Muzeu apo Biblioteka Kombetare, dy  godinat ku ruhen thesaret e kombit.

Në këto tri dekada ka pasur gjithnjë një kod të heshtur mes shqiptarëve në protesta që në çdo zemërim publik,  institucionet ku ruhen thesaret e kombit, nuk jane prekur. Dëshmuese të identitetit e historisë kombëtare, të vlerave e kulturës kombëtare, arsye të qenësishme të përcaktimit etnik, të çmuara e unifikuese po aq sa himni e flamuri, artefaktet që ruhen ne Muzeun Historik Kombetar apo antikuaret e Bibliotekës kombëtare përtej kohës e vendit, përbëjnë arsyet pse populli shqiptar ka kërkuar mëvetësinë e lirinë ndër shekuj. Protestat që kanë përfshirë vendin pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha, në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit nga një efektiv i “Shqiponjave”, e thyen këtë rregull të pashkruar dhe për herë të parë, thesaret kombëtare qenë para rrezikut.

Përmes një njoftimi për mediat, biblioteka njoftoi se do të mbyllet përkohësisht për shkak të dëmeve të shkaktuara mbrëmjen e 10 dhjetorit. Xhamat e thyer në ballinë në të tria katet e saj, janë të dukshme, çka momentalisht lejon shiun të depërtojë.

Një tjetër institucion kombëtar arti i prekur është muzeu, xhamat pasqyrë të të cilit, janë thyer dhe gjatë paradites të  kësaj të premteje u zëvendësuan aq sa për të ndalur shiun. Të dyja institucionet kanë ngritur grupet e emergjencës  për të marrë masa të menjëhershme për riparimin e dëmeve dhe ruajtjen e thesareve kombëtare të vendit. Arti dhe kultura kanë mundur gjithnjë të bëjnë diferencën mes popujve e kombeve duke qenë identifikuese dhe motive krenarie. Kujdesi ndaj thesareve kombëtare është kujdes ndaj identitetit dhe kombit. Institucionet që ruajnë kujtesën kombëtare janë të shenjta dhe e shenjta nuk preket.

 

Fraksion.com