Paketa e ndihmës, Kongresi sërish në udhëkryq
Të enjten përpjekjet për miratimin e një paketë ndihme prej 900 miliardë dollarësh, përgatitur nga një grup dypartiak ligjvënësish amerikanë, dështuan. Udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell bëri të ditur se senatorët republikanë nuk do të mbështesin një fond prej 160 miliardë dollarësh në adresë të shteteve apo qeverive në nivel lokal, nëse demokratët nuk pranojnë krijimin e një mburoje ligjore për kompanitë dhe organizatat e mëdha, ndaj proceseve gjyqësore lidhur me COVID-19.
Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë bërë presion për të përfshirë 160 miliardë dollarë për qeveritë shtetërore dhe ato lokale për të ndihmuar ato të mbyllin hendeqet e krijuara tek të ardhurat si pasojë e ngadalësimit ekonomik për shkak të pandemisë.
Por stafi i zotit McConnell u tha negociatorëve të lartë të paketës së ndihmës se udhëheqësi republikan nuk sheh asnjë rrugë për marrëveshje.
Qëndrimi i ngurtë i zotit McConnell, i cili nuk duket se ka vota të mjaftueshme nga shumica republikane për një kompromis të gjerë, krijon një bllokim të ri lidhur me paketën prej mbi 900 miliardë dollarësh, pavarësisht përpjekjeve të një grupi ligjvënësish dypartiak për të arritur një kompromis.
Dhoma e Përfaqësuesve i ka ndërprerë punimet për disa ditë, por udhëheqësit e saj paralajmëruan se ishin të gatshëm të ktheheshin në Uashington për të votuar mbi marrëveshjet e fundvitit. Senati nga ana tjetër po planifikon një seancë të rrallë gjatë ditës së premte.
Ndasitë mbi paketën e ndihmës, vijnë ndërsa Presidenti Donald Trump po këmbëngul për një raund tjetër çeqesh stimuluese prej 600 dollarësh për amerikanët, duke i dhënë negociatave një tjetër drejtim.
Dërgimi i pagesave të drejtpërdrejta për familjet amerikane nuk u përfshi në propozimin dypartiak, por është përqafuar nga disa nga kritikët më të ashpër të presidentit mes tyre ligjvënësja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez dhe senatori Bernie Sanders. Ky i fundit prezantoi një ndryshim për t’i përfshirë çeqet së bashku me aleatin e zotit Trump, senatorin Josh Hawley.
Zoti Sanders tha se momenti i pashembull me të cilin përballej kombi për shkak të pandemisë dhe pasojat e tij ekonomike kërkojnë që Kongresi “të ndërmarrë veprime të pashembullta”.
Fraksion.com