Vaksina, a po privohen vendet më të varfëra?
Vendet e pasura kanë siguruar sasi vaksine kundër koronavirusit, të mjaftueshme për të mbrojtur popullsinë e tyre gati tre herë deri në fund të vitit 2021, thonë disa organizata që merren me shpërndarjen e ndihmave në të gjithë botën.
Oxfam, një grup bamirës, thotë se kjo prirje ndoshta ka privuar nga vaksina miliarda njerëz në zona më të varfra.
Britania miratoi këto ditë vaksinën Pfizer, duke rritur shpresat për frenimin e virusit, i cili ka shkaktuar gati 1.5 milion vdekje në të gjithë botën, ka goditur ekonominë botërore dhe ka sjellë çrregullime në jetën normale të njerëzve.
Oxfam dhe organizata të tjera si Amnesty, Frontline AIDS, Global Justice Now, u bënë thirrje qeverive dhe industrisë farmaceutike të ndërmarrin veprime për të siguruar që pronësia intelektuale e vaksinave të ndahet edhe me të tjerët.
“Ne nuk mund të mbështetemi dhe as nuk duhet të mbështetemi në veprimet vullnetare ose bamirëse të kompanive farmaceutike. Historia na tregon se ata nuk kanë një histori të ndritur për të vënë interesin publik përpara fitimit. Pra, duhet që këtu të ndërhyjnë qeveritë,” tha menaxherja e politikës shëndetësore të Oxfam-it Anna Marriott.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje disa herë qeverive që vaksina kundër koronavirusit të shndërrohet në një “të mirë publike”.
OBSH-ja ka mbështetur një skemë globale të programit vaksinimit të njohur si COVAX, që përpiqet të sigurojë një shpërndarje të drejtë të vaksinave. Kësaj nisme i janë bashkuar 189 vende. Por vende të tilla si Shtetet e Bashkuara nuk marrin pjesë, pasi kanë siguruar marrëveshje dypalëshe me të tjerët.
“Padyshim në vende si Brazili dhe India, po të marrim disa nga më të mëdhenjtë, ne shohim numrin më të lartë të vdekjeve në të gjithë planetin. Në këto vende, do të ketë më shumë jetë që do të humbasin nga COVID-i nëse nuk kanë vaksina,” tha zonja Marriott.
COVAX shpreson të shpërndajë rreth 2 miliardë doza deri në fund të vitit 2021, por kjo do të përfaqësonte vetëm 20% të popullsisë së vendeve që janë pjesë e këtij programi.
Grupi Amnesty tha se Kanadaja është vendi që ka blerë më shumë vaksina krahasuar me popullsisë së saj. Ajo ka doza të mjaftueshme për të vaksinuar çdo qytetar të saj pesë herë.
Fraksion.com