Mblidhet komisioni i posaçëm për çështjet e raportit të Dick Marty, caktohen relatorët
Komisioni i posaçëm për çështjet e raportit të Dick Marty, i kryesuar nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja zhvilloi sot mbledhjen e tij të parë, ku u caktuan dy relatorët, deputetja socialiste Klotilda Bushka dhe deputetja nga grupi i pavarur Elena Xhina.
Manja në fjalën e tij tha se “ky komision i posaçëm do të administrojë të gjithë dokumentacionin në lidhje me veprimtarinë dhe sjelljen e autoriteteve shqiptare shtetërore të kohës dhe në përfundim do të hartojë një raport informues për Kuvendin e Shqipërisë”.
Më pas, tha ai, Kuvendi do të hartojë edhe një projektrezolutë lidhur me gjetjet e këtij Komisioni.
Ndërkohë deputeti i grupit parlamentar Demokrat, Myslim Murrizi kërkoi që Komisioni të thërrasë në seancë dëgjimore edhe individë të përfshirë në hetim apo të hamendësuar, ashtu si edhe prokurorë që janë marrë më këtë çështje.
Kuvendi vendosi ngritjen e një komisioni të posaçëm për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti informues mbi gjetjen që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri për çështjet e kryera nga anëtari i asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, Dick Marty për bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur përfaqësues politik shqiptar ose institucionet publike shqiptare nëpërmjet veprimeve apo mosveprimeve në ndihmë të ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Republikën e Shqipërisë.
Përbërja e komisionit është konfirmuar sipas votimit në seancën plenare të Kuvendit, me 9 deputetë: Ulsi Manja kryetar, Enver Roshi zv. kryetar, Klotilda Bushka Sekretare dhe anëtarët Alket Hyseni, Adnor Shameti, Ermonela Felaj, Myslim Murrizi, Edmond Stojku, Enver Roshi dhe Elena Xhina.
Fraksion.com