AktualitetOp-EdTë fundit

“Kur Berisha i vë zjarrin edhe slitës të Babagjyshit, Rama i bën njerëzit të harrojnë gabimet e tij”

Nga Carlo Bollino

 

Si do të ishte protesta e sotme nëse mijëra të rinj do të ishin ulur me orë të tëra para Ministrisë së Brendshme, në heshtje, pa thënë asnjë fjalë, secili me një qiri në dorë, duke shfaqur vetëm fotografinë e Klodjan Rashës? Si do të kishte reaguar qeveria nëse një turmë e të rinjve pa një parti pas tyre do të kishte përmbytur derën dhe shkallët e Kryemistrisë me kurora dhe qirinj në kujtim të Klodjan Rashës, duke mbushur ndërtesën me një lumë mesazhesh dashurie?

Kurrë nuk do ta dimë, sepse u ndëzën shashkat në vend të qirinjve, sepse fotografia e Klodjan Rashës shpejt u shkel nga vetë demonstruesit dhe në vend të luleve u hodhën gurë dhe çadra dhe çfarëdo sendi që ata militantë të partisë  kishin nëpër duar. Nuk kishte idealistë të rinj për të udhëhequr protestën, por Sali Lushaj dhe djali i tij, Stresi, ndërsa ushtria e tyre e zemëruar u vuri flakën pemëve drerët plastikë dhe slitën e Babagjyshit të vendosura në trotuare për të zbukuruar qytetin.

Ajo që pamë sonte në Tiranë nuk ishte dhimbja qytetare për vdekjen e padrejtë të Klodjan Rashës, por zemërimi i zakonshëm politik i shprehur nga ata që gënjejnë veten e tyre duke menduar ende qe mund ta rrezojne qeverinë duke përdorur dhunën. Në fillim në shesh kishte edhe të rinj normalë, ata të shëndetshëm dhe të indinjuar, ata që u përpoqën të vepronin si një mur kundër barbarëve që në vend të tyre thjesht donin të thyenin, digjnin, shkatërronin. Përfundimisht krahu i moderuar i sheshit, si gjithmonë, duhej të tërhiqej dhe para policisë mbeti grupi i zakonshëm prej pak qindra huliganësh të gatshëm për të bërë luftë guerile, që në vend të maskës anticovid, kishin atë të keqbërësve.

Zjarri i vendosur kudo, i cili mund të vështrohej pas reve të gazit lotsjellës, mban vulën e pangatërrueshme të bëmave të Sali Berishës dhe piratëve të tij. Këmbëngulja përpara radhëve të policisë mban vulën e zemërimit dhe të vendosmërisë së Ilir Metës dhe krahut të tij të armatosur. Të dy janë fajtorë për zhytjen e të gjithë opozitës në humnerën e përbuzjes popullore. Sepse nuk ka asnjë shqiptar qytetar, dhe ata janë shumica, të cilët nuk mund të durojnë më skenat e dhunës urbane të shkaktuara nga uria për pushtet.

Kohët kanë ndryshuar por Berisha, Basha dhe Meta nuk e kanë kuptuar. Dhe kështu, ndërsa ata u përpoqën me një pretekst tjetër për të sulmuar ndërtesën e qeverisë, duke arritur vëtëm të shuanin zbukurimet per Vitin e Ri të mbetura të pambrojtura, Edi Rama nga Shtetet e Bashkuara njoftoi marrëveshjen me gjigantin farmaceutik Pfizer për të marrë vaksinat anti-covid për Shqipërinë që nga muajt e parë të vitit të ri. Dy muaj para votimit. Janë dy botë dhe dy vizione të kundërta, ndoshta të dyja mënyra propagande. Por Rama e përdor atë për t’i bërë njerëzit të harrojnë gabimet e tij, ndërsa opozita, edhe një herë tjetër, arriti t’i bëjë njerëzit të harrojnë arsyet e saj. Në fund të ditës askush nuk e mban mend pse nisi protesta, por të gjithë do të kujtojnë se kush janë Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ilir Meta dhe se si kultura e tyre e hakmarrjes dhe dhunës nuk ka ndryshuar ende.

 

Fraksion.com