AktualitetBota+Të fundit

Kufizimet e vizave për shtetasit kinezë, një provë për presidentin e zgjedhur Biden

Me keqësimin e tensioneve mes Pekinit dhe Uashingtonit gjatë vitit të fundit, zyrtarët amerikanë kanë shtrënguar kufizimet për viza, duke dëbuar qindra kërkues shkencorë kinezë të akuzuar se kishin fshehur lidhjet me ushtrinë dhe duke etiketuar disa kompani teknologjike kineze si kërcënim për sigurinë kombëtare të Amerikës.

Kina e cilëson këtë si qëndrim “me rrënjë të thella në mentalitetin e Luftës së Ftohtë“. Në SHBA, përkrahësit i cilësojnë këto masa si ndreqje e kursit në përgjigje të abuzimeve nga Kina të politikave për nxitjen e tregtisë dhe shkëmbimeve akademike mes dy vendeve.

Masa e fundit u mor javën e kaluar, kur Departamenti i Shtetit shtrëngoi kufizimin e vizave ndaj anëtarëve të Partisë Komuniste të Kinës, duke lejuar vetëm nxjerrjen e vizave një mujore me një hyrje, në vend të vizave që jepeshin më parë për dhjetë vjet me disa hyrje. Zyrtarët amerikanë thanë se masa ishte e nevojshme “për të mbrojtur vendin tonë nga ndikimi keqdashës i Partisë Komuniste Kineze,” ndërsa Ministria e Jashtme e Kinës e cilësoi si “shkallëzim të shtypjes politike nga disa forca ekstreme anti-kineze në SHBA”.

Vetëm pak vite më parë, Shtetet e Bashkuara lehtësuan kufizimet për udhëtim ndaj Kinës, pjesërisht në përpjekje për të nxitur turizmin që ushqehej nga zgjerimi i klasës së mesme në Kinë. Në 2014, turistët kinezë, anëtarë apo jo të Partisë Komuniste të Kinës, kishin të drejtën të kërkonin viza me shumë hyrje të vlefshme për 10 vjet, me qëndrim deri në gjashtë muaj sa herë futeshin në SHBA. Kina u përgjigj me masa të ngjashme, por me përjashtime.

“Të flasim haptazi, studiuesit kinezë e kishin të lehtë të merrnin një vizë turistike 10-vjeçare për të ardhur në SHBA. Por unë si studiuese amerikane, me punë në një organizatë kërkimore, kisha të drejtën të merrja vizë vetëm me një hyrje dhe të drejtë qëndrimi deri në një javë në Kinë,” thotë Bonnie Glaser, drejtoreshë e Projektit për Fuqinë e Kinës në Qendrën për Studime Strategjike e Ndërkombëtare.

Kritikat ndaj Partisë Komuniste Kineze

Profesor Perry Link i Universitetit të Kalifornisë në Riversajd tha për Zërin e Amerikës se “Partia Komuniste e Kinës ka bllokuar disa amerikanë pasi kishin shprehur kritika ndaj saj, ndërsa qeveria amerikane kurrë nuk ka bllokuar futjen e individëve që kritikojnë një parti të caktuar politike”.

Profesor Link u fut në listën e zezë të Pekinit në 1996, pasi kishte përkthyer në anglisht dokumente sekrete të qeverisë kineze lidhur me protestat e 1989-ës në Sheshin Tiananmen.

Gordon Chang, kritik i Kinës dhe opinionist për kanalin Fox News, pohon se kurrë nuk ka pasur plotësisht masa të barasvlefshme reciproke.

“Më e rëndësishmja është se SHBA po kërkon masa reciproke nga Kina, pasi shtetasit kinezë, qofshin apo jo anëtarë të Partisë Komuniste të Kinës, vijnë në SHBA me shumë më pak kufizime se sa amerikanët që kërkojnë të shkojnë në Kinë,” thotë zoti Chang.

Administrata e Presidentit Trump ka marrë masa të forta në 2020, duke klasifikuar mbi 10 grupe mediatike kineze si misione të një shteti të huaj, duke urdhëruar mbylljen e konsullatës kineze në Hjuston dhe duke arrestuar studiues kinezë që kishin fshehur lidhjet me ushtrinë kineze si dhe kufizimin e vizave studentore për shtetas kinezë që vijnë në SHBA për studime në degë që mund të kenë implikime në sigurinë kombëtare.

Ujgurët, Ligji për Hong Kongun

Uashingtoni ka vendosur ndalim udhëtimesh dhe sanksione ndaj zyrtarëve që kanë lidhje me shtypjen e ujgurëve në Xinjiang, si dhe me kufizimin e të drejtave në ishullin gjysmë-autonom të Hong Kongut.

Në tetor, Shtetet e Bashkuara vendosën një ndalim të gjerë imigracioni për anëtarë të Partisë Komuniste të Kinës, duke mos u lejuar të aplikojnë për leje të përhershme qëndrimi, apo shtetësi amerikane.

Zoti Chang beson se anëtarët e Partisë Komuniste të Kinës duhet të ndalohen plotësisht nga ardhja në SHBA. “Partia Komuniste e ka bërë të qartë se kërkon shkatërrimin e Shteteve të Bashkuara, prandaj nuk e shoh të arsyeshme që anëtarët e saj të vijnë në SHBA,” tha ai për Zërin e Amerikës.

Zonja Glaser nuk mendon se kjo politikë do të jetë shumë e efektshme. Përveç faktit që kjo politikë filloi të zbatohet nga një administratë që do të largohet së shpejti dhe ndërkohë që pritet që administrata e ardhshme ta rishikojë, ajo shton se kufizimet ekstreme në shkëmbimet e drejtpërdrejta nuk janë në interes të asnjërit vend.

“Nuk mendoj se kjo politikë do të rishikohet në mënyrë individuale, por besoj se do të zhvillohen bisedime mes SHBA dhe Kinës lidhur me kufizimet e vizave për gazetarët, për anëtarët e Partisë Komuniste të Kinës dhe për masat për të krijuar reciprocitet,” thotë ajo.

Zoti Link pohon se Partia Komuniste e Kinës pritet të kthehet në negociata, por thekson se “ekipi i zotit Biden duhet të angazhohet dhe të jetë po aq i prerë sa ekipi i Presidentit Trump në këto negociata”.

Administrata e ardhshme ka sinjalizuar se presidenti i zgjedhur, Joe Biden ka në plan të anulojë shumë nga kufizimet e vizave të vendosura nga administrata e Presidentit Trump, por nuk e ka bërë të qartë nëse do të lirojë edhe kufizimet e vizave për shtetasit kinezë./voa

 

Fraksion.com