“Unë jam Klodjani”; Protestë mbi 4 orë te Ministria e Brendshme e Kryeministria; Protestuesit u vënë flakën pemëve të Krishtlindjeve
Qindra qytetarë pasditen e kësaj të mërkure kanë dalë në protestë përpara ministrisë së Brendshme, ku kërkuan drejtësi për Klodjan Rashën, të riun që u vra në orën e para të mëngjesit të së martës nga efektivi i policisë. Me thirrjet “duam Drejtësi”, “Poshtë komunizmi”, por edhe sharje dhe ofendime në drejtim të Policisë së Shtetit, protestuesit e shumtë kërkojnë dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj.
“Hiqni kapelet” është një tjetër thirrje që protestuesit thanë në kor në drejtim të uniformave blu. Në protestë nuk kanë munguar edhe përplasjet, ku protestuesit kanë goditur me sende të forta dritaret e Ministrisë së Brendshme, madje kanë tentuar që të futen brenda , por janë ndalur nga Policia. Në protestë, si pasojë e tensioneve me policët, një prej tyre ka mbetur i lënduar në kokë.
Nisur nga detaji që dha në intervistë xhaxhai i Klodjan Rashës, se kur doli nga shtëpia kishte 2 hurma në dorë, protestuesit ishin pajisur me hurma duke qëlluar me to në drejtim të Ministrisë së Brendshme. Megjithatë, nuk kanë munguar edhe sende të tjera si gurë apo edhe çadra.
Ata janë zhvendosur nga ambientet e Ministrisë së Brendshme drejt kryeministrisë. Në numër të shumtë, ata kanë mbushur Bulevardin përpara kryeministrisë si dhe kanë uzurpuar portën kryesore të këtij institucioni.
Disa prej tyre kanë tentuar të rrëzojnë pemën e Vitit të Ri të vendosur në të djathtë të hyrjes kryesore. Pasi nuk kanë arritur ta shembin, protestuesit kanë filluar shkatërrimin e saj, duke i hequr dritat dhe objektet dekoruese dhe më pas i kanë vënë flakën.
Fraksion.com