AktualitetBota+Të fundit

Raportohet se Putin punon fshehurazi nga një “zyrë identike” në Soçi

Një raport nga një media ruse pretendon se Kremlini ka ndërtuar një zyrë për presidentin rus, Vladimir Putin, në Soçi, e cila është identike me zyrën e tij jashtë Moksës, dhe se Putin shpesh dhe fshehurazi ka punuar nga zyra në Soçi, në muajt e fundit.

Megjithatë, nuk ka ende konfirmim të pavarur të raportit në ueb-faqen Proyekt Media, e cila tha se zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen për këtë çështje.

Një tjetër publikim rus në internet, Daily Storm, citoi Peskovin të ketë thënë se raporti i Proyekt Medias është “marrëzi” dhe se Putin “punon në Moskë”.

Nëse është i vërtetë, raporti do të shtonte prova të reja për masat që ka ndërmarrë Kremlini për të izoluar Putinin nga pandemia e koronavirusit.

Në raportin e saj, Proyekt Media citoi dy burime të paidentifikuara që tha se “kanë njohuri për oarin e kreut të shtetit” dhe një menaxher të lartë në një kompani të drejtuar nga shteti.

Publikimi po ashtu analizoi të dhënat e fluturimeve të avionit presidencial që përdor Putini për të udhëtuar në dhe jashtë vendit.

Si shumë vende, Rusia ka ndërmarrë masa izolimi për të frenuar përhapjen e koronavirusit, duke kufizuar lëvizjen dhe duke kërkuar nga shumë qytetarë që të punojnë nga distanca.

Putin ka mbajtur kryesisht video-konferenca me guvernatorët dhe ministrat e kabinetit, si dhe fjalime televizive.

Ai po ashtu ka zhvilluar disa takime ballë për ballë me grup të zgjedhur individësh.

Si pjesë të provave të saj, Proyekt Media citoi një video-konferencë që Putin ka mbajtur më 2 nëntor me një grup nxënësish rusë.

Kremlini, pasi ka lëshuar një fotografi, ka thënë se Putin ka qenë në rajonin e Moskës kur ka mbajtur konferencën.

Por, Proyekt Media, duke cituar një person në dijeni për situatën, tha se anëtarët e stafit të presidentit kanë qenë në Soçi atë ditë.

Më 3 nëntor, avioni presidencial është shfaqur duke u nisur nga Soçi për në Shën Petersburg, ku Putin ka marrë pjesë në zbulimin e një akullthyesi të ri.

Proyekt Media gjithashtu tha se shumë gazetarë të akredituar në Kremlin kanë pasur qasje më të kufizuar te Putini në muajt e fundit.

Masat e tjera që ka shpikur Kremlini për të zvogëluar rrezikun e infektimit të Putinit me koronavirus përfshijnë instalimin e tuneleve dezinfektuese në Kremlin dhe në Novo-Ogarjovo, ku ndodhet zyra e presidentit.

Këto tunele u ngjajnë kontrolleve të sigurisë në aeroporte dhe i spërkasin vizitorët me një mjegull anti-septike derisa ata kalojnë.

 

Fraksion.com