Testet e antigenit; Rama: Punë e jashtëzakonshme në terren për hetimin dhe testimin e qytetarëve të dyshuar
Sot ka nisur nga kryeqyteti, aplikimi i testit të shpejtë të antigenit. Testi i shpejtë i antigenit kryesisht do të kryhet në ato vatra që mjekët e gjykojnë më të rëndësishme për përhapjen e infeksionit.
Por, krahas testit të antigenit do vazhdojë të aplikohet edhe testi i PCR.
Kryeministri Edi Rama solli pamje nga aplikimi i një testimi të shpejtë.
“Që prej mbrëmjes së 8 marsit, epidemiologët po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në terren për hetimin dhe testimin e qytetarëve të dyshuar për COVID-19”, theksoi Rama, duke shtuar se “siç u zotuam, testimi i shpejtë ka nisur në Tiranë nga ekipet e epidemiologëve të terrenit, duke rritur aksesin për qytetarët për testimin në kohë dhe të sigurt”.
Së shpejti, nënvizon Rama, “hapen disa pika në qendra shëndetësore për testimin me rezervim pranë mjekut të familjes”.
Një nga mjeket, pjesë e stafit që po aplikon testimin e shpejtë, shprehet se puna ka nisur sot. “Testi i shpejtë i antigenit kryesisht do të kryhet në ato vatra që ne e gjykojmë më të rëndësishme për përhapjen e infeksionit. Por, krahas testit të antigenit do vazhdojë të aplikohet edhe testi i PCR”, shprehet mjekja.
“Kjo është një vatër që ne e kemi hetuar paraprakisht. Këtu kanë dalë 2-3 punonjës pozitivë, ndaj ne ndërmorëm këtë hap për të marrë dhe një rezultat sa më të shpejtë në kohë”, thotë mjekja.
“Testi nuk është i dhimbshëm, merret në kavitetin nazal në murin e poshtëm. Hidhen 3 pika dhe presim për 15-30 minuta që të marrim përgjigjen”, thekson mjekja.
“Testet e shpejta na ndihmojnë ne në punën në terren për shkëputjen e zinxhirit të infeksionit, për hetimin e vatrave dhe për hetimet epidemiologjike. Janë teste që kryehn dhe rezultati del brenda 15-30 minutave. Janë të njohura edhe nga OBSH për specifitetin dhe sensitivitetin e lartë që kanë”, u shpreh mjekja.
Fraksion.com