AktualitetBota+Të fundit

SHBA: Në pritje të paketës së re financiare për COVID-19

Anëtarë të Kongresit amerikan pritet të shpallin sot hollësitë e një projektligji të ndihmës së shumëpritur për familjet dhe bizneset amerikane në nevojë për shkak të pandemisë.

Projektligji është hartuar me mbështetjen e të dyja partive.

Një grup përfaqësues nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët dhe nga Senati ku republikanët kanë shumicën, pritet të nxjerrin tekstin zyrtar të një projektligji prej 908 miliardë dollarësh për të zbutur ndikimin shëndetësor dhe ekonomik të virusit në ditët e para të administratës së Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi dhe Udhëheqësi i Shumicës së Senatit Mitch McConnell shpresojnë t’ia bashkëngjitin paketën e re të ndihmës për koronavirusin një projekt-buxheti prej 1.4 trilionë dollarësh që Kongresi duhet të miratojë deri të premten për financimin e agjencive qeveritare.

Në fillim të këtij viti ligjvënësit miratuan 3 trilion dollarë ndihmë për COVID-19n, por nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord për ndihma të reja që nga muaji prill.

Një varg programesh të ndihmës emergjente në përgjigje të pandemisë, si pagesa shtesë për papunësinë dhe masat për të mos lejuar dëbimin e qiramarrësve, skadojnë në fund të dhjetorit.

 

Fraksion.com