AktualitetPolitikëTë fundit

“Secili të bëjë detyrën e vet”; Basha: Duhet të bashkojmë forcat

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte sot në njësinë 11, në Tiranë, ku zhvilloi takime me biznesin e vogël. Në vëmendje ishte kriza ekonomike e krijuar nga keqqeverisja dhe që ka dalë në pah nga pandemia e COVID-19.

Basha u njoh me situatën e rëndë në këtë zonë dhe krizën që po përjetojnë këto biznese.

Ai ngriti zërin për situatën e keqe ku ndodhet biznesi në Shqipëri, që sipas tij është braktisur totalisht nga qeveria.

“Cikli negativ duhet ndalur dhe duhet të nisim një cikël pozitiv rritjeje. Për këtë, qëndrimi ynë ka qenë i qartë prej fillimi. Të gjitha të ardhurat e shtetit në këtë kohë duhet të shkojnë tek familjet në nevojë dhe tek biznesi. Këtë formulë nuk është se e kemi shpikur ne. Këtë po bën Maqedonia, këtë po bën Kosova, këtë po bëjnë dhe vendet e zhvilluara. Natyrisht, s’mund të arrijmë kurrë Anglinë apo Gjermaninë, por të paktën të bëjmë maksimumin siç po bëjnë vendet e rajonit. E kemi detyrë ndaj qytetarëve dhe ky është edhe premtimi kryesor që bëjmë sot, dhe nesër do keni një qeveri që ta keni në krahun tuaj. Pa ju dëgjuar edhe pa ju kuptuar është e vështirë pastaj t’ju ndihmosh”, tha ai.

Po ashtu Basha shtoi se gjëja e parë, detyra e parë që ka dikush që kërkon t’ju shërbejë njerëzve, është t’ju dëgjojë, të kuptojë problemet edhe pastaj t’ju ndihmojë.

“Duhet të bashkojmë forcat. Duhet secili të bëjë detyrën e vet. Edhe unë garantoj që do të keni një qeveri që do të bëjë detyrën e vet. Siç bën ti detyrën tënde si prind, si familjar, si punëdhënës me këta njerëz që i mban këtu, u paguan rrogën, edhe në si qeveri nesër do të bëjmë detyrën tonë. Do t’ju ndihmojmë ju, do të ndihmojmë çdo familje në nevojë. Dhe na duhet një ndryshim i menjëhershëm, na duhet një qeverisje e re, na duhet një ndryshim i ri sepse kështu nuk ecet. Nuk mundet që të gjithë paratë e qytetarëve sot kur kanë më shumë nevojë për ato para të shkojnë në një drejtim tek 5-6 njerëz, ndërkohë që qindra-mijëra të tjerë nuk sigurojnë bukën e përditshme për të mos folur për fruta-perimet, nuk sigurojnë dot ilaçet.”, tha Basha.

 

Fraksion.com