AktualitetTë fundit

Nis sot testimi i shpejtë; Manastirliu: Rezervim pranë mjekut të familjes

Në kuadër të masave antiCovid sot nis testimi i shpejtë ku mbi 100 mijë teste janë siguruar.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha  se “nga sot ekipet e epidemiologëve të terrenit do të kryejnë edhe testet e shpejta, përveç testimit me metodën  PCR, duke rritur aksesin për qytetarët për testimin në kohë dhe të sigurt”.
Manastirliu theksoi se “100,000 teste të shpejta janë të siguruara dhe do të vijojmë të rrisim kapacitetet me të dy metodat e testimit”.
“Së shpejti, hapen disa pika në Tiranë dhe në qytetet e tjera për testimin me rezervim pranë mjekut të familjes”, shtoi Manastirliu.
Pak ditë më parë Manastirliu u shpreh se “prej 20 dhjetorit, testimi i shpejtë, do të shtrihet dhe në disa pika testimi të përcaktuara në disa poliklinika dhe disa qendra shëndetësore, në Tiranë dhe më pas, sipas një kalendari, edhe në disa struktura të kujdesit shëndetësor. Planifikimi për testimin e shpejtë të antigenit do të bëhet nga mjeku i familjes sipas fashave orare të sistemit të ekzaminimit elektronik, gjë që lehtëson organizimin, shmang grumbullimet dhe siguron parametrat e kërkuar të mbrojtjes së shëndetit. Pikat e testimit, do të bëhen të njohura në ditët në vijim dhe do të mbulojnë një numër të caktuar banorësh sipas ndarjes gjeografike. Nga 20 dhjetori, testet e shpejta të antigenit do të vihen në dispozicion edhe të spitaleve rajonale për rastet e urgjencave të dyshuara, përpos testimit me metodën klasike të PCR”.
Fraksion.com