Merkel paralajmëron se mund të duhen masa më të ashpra kundër koronavirusit përgjatë dimrit
Liderët gjermanë janë pajtuar të hënën për kufizime më të rrepta me qëllim të frenimit të koronavirusit, disa ditë pasi ky shtet ka raportuar për numrin më të madh të viktimave në 24 orë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel u ka thënë kolegëve të partisë së tij që masat ekzistuese të kufizimit – me bare dhe restorante të mbyllura – janë të pakta për të kontrolluar virusin.
“Situata po bëhet shumë serioze, këto masa nuk do të jenë të mjaftueshme për të kaluar dimrin”, është cituar të ketë thënë ajo sipas pjesëmarrësve në një takim me ligjvënësit e bllokut të saj konservator.
Numri ditor i infektimeve nuk është duke u rritur shumë sikurse ditë më parë në Gjermani, ekonominë më të madhe në Evropë, mirëpo megjithatë shifrat janë të larta, duke përfshirë ato të viktimave.
Markus Soeder, kryetar i Bavarisë, landit që ka numrin më të madh të viktimave me koronavius, ka thënë se është i sigurt që disa liderë kombëtarë dhe rajonalë do të pajtohen për masa më të ashpra para Krishtlindjeve.
Ata janë pajtuar paraprakisht për të mos rishikuar masat kufizuese deri më 10 janar.
Ndonëse vaksinat pritet të ndihmojnë në kontrollim të pandemisë, numri i tyre është i kufizuar, që nënkupton se vetëm disa grupe të caktuara, përfshirë të moshuarit do të mund të planifikojnë vaksinimin gjatë dimrit.
Të dhënat e Institutit Robert Koch, që merret me sëmundje infektive në Gjermani, kanë treguar për 12,332 raste në 24 orët e fundit.
Numri i të vdekurve përgjatë kësaj periudhe është thënë se ka qenë 147, duke e çuar në 12,919, numrin e të vdekurve me koronavirus në Gjermani.
Fraksion.com