Erëra të forta e reshje shiu; Bashkia e Vlorës apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet me makina
Bashkia e Vlorës i bëri apel qytetarëve të shmangin lëvizjet me makina, për shkak të motit të keq që parashikohet të përfshijë qytetin bregdetar.
Në apelin drejtuar qytetarëve bashkia e Vlorës kërkon të mos lëvizin dhe të shmangin të gjitha lëvizjet për shkak të shirave të dendur dhe erërave të forta që priten në vijim.
“Duke parë kushtet e motit në Vlorë, por edhe në të gjithë vendin, do ju luteshim të shmangnit të gjitha lëvizjet me makina për shkak të shirave të dendur dhe erërave të forta qe priten ne vijim. Kujdesuni për veten dhe familjarët tuaj! Për çdo nevojë vendosni kontakt me Ujësjellës Kanalizimet dhe Shërbimet publike të bashkisë”, thekson bashkia.
Sipas parashikimit Meteorologjik gjatë ditës së sotme moti do të jetë me reshje shiu, shtrëngata shiu me rrebeshe dhe rrufe në orët e para të mëngjesit. Në zonat malore do të ketë reshje dëbore në lartësitë mbi 1300 m.
Fraksion.com