AktualitetBota+PolitikëTë fundit

COVID-19; Basha: Trajnimi i mjekëve dhe infermierëve dhe hapja e spitaleve rajonale duhej të ishin prioritet

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot në një intervistë në News24, se qeveria është përgjegjëse për rritjen e numrit të të prekurve me COVID-19.

Sipas Bashës, qeveria vendos vetë dhe nuk dëgjon ekspertët. “Opozita e ka thënë, unë e kam thënë, Partia Demokratike e ka thënë fjalën e saj prej 27 shtatorit. Në vend që të përsëris planin me 5 pika dhe hapat të cilat do të kishin parandaluar këtë kolaps, më lejoni të flas me fjalët e atyre që kam takuar këto javë, fjalët e mjekëve, të punonjësve të tjerë të shëndetësisë, mjekëve të familjes, profesorëve të COVID 1, 2 dhe 3”,- u shpreh Basha.

“Me fjalët e pacientëve që kanë mbijetuar COVID-it dhe familjarëve të tyre të cilët e thonë fare qartë se çfarë duhet bërë dhe çfarë nuk është bërë. Të parët që duhet të ishin dëgjuar ishin mjekët. Vërejtjet e tyre dhe sugjerimet e tyre, bazuar në si është situata dhe cila është përvoja e vendeve të rajonit, nuk po themi të vendeve të Bashkimit Europian, kanë qenë dhe baza e planit me 5 pika që ne i vumë në dispozicion kësaj qeverie që prej datës 29 shtator”,- vijoi ai.

“Dhe sot që flasim, asnjë nga këto hapa nuk është ndërmarrë, duke nisur nga testimet. Ne sot realisht vetëm mund të hamendësojmë se cilat përmasat e vërteta të infeksionit, se sa shqiptarë me të vërtetë infektohen çdo ditë. Sepse e dimë që raportimi i të infektuarve është në varësi të numrit të testimeve. Ndonëse pozitiviteti i këtyre testimeve ka arritur deri në 40% që do të thotë 4 në 10 të testuar kanë rezultuar pozitiv”,- shton Basha.

“Tani nuk ka nevojë të jesh ekspert i epidemiologjisë apo i shëndetësisë, se çdo qytetar e kupton që kur 4 në 10 dalin të infektuar që ti nuk po bën mjaftueshëm testime. Duke mos testuar, ti nuk arrin dot të gjurmosh të infektuarit. Dhe kur nuk i gjurmon dot, nuk i izolon dot. Dhe kur nuk i izolon dot, ti nuk ndërpret dot zinxhirin e infektimeve, sepse çfarë ndodh? Çdo i infektuar i cili nuk është zbuluar apo konfirmuar si i tillë dhe vazhdon kontaktet me familjen, me miqtë, me kolegët në punë, faktikisht po shpërndan virusin. Në këtë moment që flasim po shpërndan virusin”,- vijoi Basha.

Basha lidhur me testet e shpejta ka thënë që është shumë pak. “Shumë pak është. Shumë vonë. Me shifrat e infeksionit që kemi aktualisht, ne duhet të administronim minimalisht sipas ekspertëve, 10 mijë testime në ditë. Bëhet fjalë, të shohim se sa do vijnë, bëhet fjalë për 100 mijë testime. Dhe në qoftë se ato administrohen sipas nevojave që ka tani Shqipëria, do të thotë 10 ditë testime”.

“Po të shikojmë disa prej problemeve kryesore që thonë të infektuarit, apo pacientët që e kanë kaluar apo familjarët e atyre që janë ndarë nga jeta, është që nga momenti kur kanë pasur nevojën për testim, deri kur iu është bërë testimi, deri kur e kanë marrë përgjigjen, faktikisht ka kaluar i gjithë cikli i virozës. Dhe në rastin më të mirë me vështirësi të shumta shëndetësore dhe duke shkatërruar financat e familjes janë shëruar. Dhe në rastin më të keq, janë ndarë nga jeta pa marrë akoma përgjigjen e testimit, por kjo e nxjerr jashtë loje testimin, se testimi ka pikërisht këtë detyrë, të përcaktojë sa më shpejtë diagnozën për t’i ardhur në ndihmë personit që mendohet se është infektuar”,- shtoi Basha.

“Mjekët po bëjnë maksimumin e mundshëm, po bëjnë më shumë se sa mjekët ë tjerë të rajonit në këto kushte, se kushtet i kanë shumë më të vështira. Dhe t’i ngarkosh ata me përgjegjësi apo të vendosësh ata përballë opinionit publik apo siç është përpjekur qeveria për të larë duart me manipulimet me shifrat. Përpiqesh të krijosh një ndasi dhe nji debat artificial midis mjekëve dhe opozitës kur e vërteta ulëret vetë. Kjo është thjesht dhe vetëm përpjekje për të larë duart nga përgjegjësia”,- tha Basha.

“Por përtej kësaj pyetje ajo që njerëzit duan të dinë është çfarë do të bëjmë për të dalë nga kjo situatë dhe prandaj të gjitha takimet që kam organizuar si opozitë dhe ndihma që keni dhënë si media për të bërë transparente dhe energjia dhe fokusi i ekspertëve tanë nuk ka qenë thjesht dhe vetëm për të treguar ato fakte që qeveria mundohet ti mbulojë por për të dhënë edhe rrugëdaljen nga kriza dhe është e trishtë është dramatike që dhe në këtë situatë kur i gjithë fokusi do të jetë tek pandemia që ka dalë jashtë kontrollit”,- tha Basha.

Ai shtoi se duhet të ishte investuar më herët tek spitalet rajonale.

“Ky trajnim i veçantë kërkonte ekspertizë, financim kërkonte mjete financiare në dispozicion të shëndetësisë. Ndërkohë që kemi parë që qeveria mjete financiare ka pasur, madje ka pasur me shumicë dhe do thoja me nxitim, duke shkelur siç ka dalë nga media procedurat e prokurimit, me prokurime te dyshimta me prokurime sekrete me tendera shumëfish çmimi, me tendera ku fituesi me çmimin më të ulët është skualifikuar dhe ka fituar ofertuesi me çmimin më të lartë. Pra para ka pasur, kohë ka pasur, por nuk ka marrë masat elementare për ti dalë përpara kësaj vale të re infektimesh ku trajnimi i mjekëve dhe infermierëve dhe hapja e spitaleve rajonale duhet të kishin qenë prioritet absolut”, u shpreh Basha.

 

Fraksion.com