AktualitetTë fundit

Testet e shpejta nga e hëna; Tomini: Do jenë falas, duhet të bëhen brenda 5 ditëve nga shfaqja e shenjave të COVID-19

Shefja e epidemiologjisë pranë Instritutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaroi sot se testi i shpejtë i antigenit për të gjithë ata qytetarë që kanë shenja të COVID-19 do të shpërndahet në disa zona të kryeqytetit si fillim dhe më pas në spitalet rajonale.

Në një intervistë televizive, Tomini theksoi se “ky test duhet të bëhet brenda 5 ditëve të shenjave të COVID-19, ndërsa ka një vlefshmëri 100% të rezultatit”.

“Nga e hëna nis aplikimi i testeve të shpejta. Testi antigjenik është test që bëhet tek personat që janë me shenja klinike dhe kanë virulencë të lartë. Ky test ka një efektivitet që shkon në 100%. Duhet të bëhet brenda 5 ditëve të para të shenjave klinike. Më pas mjekët e familjes do të vijojnë me testin e PCR-së që duhet pranë ISHP dhe laboratorëve të tjerë mbështetës që aktualisht janë 4”, – theksoi Tomini.

Sipas saj, duhet të referohen ata pacientë që janë me shenja klinike dhe janë me virulencë të lartë.

Tomini u shpreh se “rezultati i testit del 100 % i saktë. Ky është një test shumë i shpejtë, ndihmon shumë në hetimin epidemiologjik dhe ndihmon në përcaktimin e diagnozës”.

Tomini tha se testet e shpejta do të jenë falas.

Shefja e epidemiologjisë pranë ISHP-së Tomini tha se “mjeku i familjes ka protokollin që duhet të zbatojë. Janë përcaktuar pikat fikse ku do të jenë testet e shpejta. Duke nisur që nga e hëna do të jenë në Tiranë. Do të rifreskoheni me hartën gjeografike ku do të kryhen testet e shpejta si dhe do ketë ketë shpërndarje gjeografike në të gjitha skajet e Tiranës, që të jemi afër popullatës dhe individëve të sëmurë”.

 

Fraksion.com