AktualitetTë fundit

Vaksina anti-COVID; Brataj: Të parët do të vaksinohen personat me sëmundjet bashkëshoqëruese

Kreu i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj shprehu sot në një intervistë televizive besim pas lajmit të aprovimit të vaksinës për COVID-19 në Britani.

Ai tha se ka shprehur bindjen që në qershor që brenda këtij viti do të zbulohej vaksina. “E kam thënë që në qershor që brenda vitit do dalë vaksina, dhe në fakt doli”, tha ai.

Brataj u shpreh se këtë bindje e kishte pasi e gjithë shkenca e të gjithë botës u investua në kërkimin e kësaj vaksine. “Kjo është një nga pandemitë më të mëdha në botë. I gjithë kërkimi shkencor u vu në dispozicion të kërkimit të vaksinës”, tha Brataj.

Brataj më pas theksoi se, ka shumë faktorë që ndikojnë tek shfaqja e kësaj sëmundjeje, të cilat ende po studiohen.

Sa i përket ardhjes vaksinës në Shqipëri, Brataj u shpreh se njerëzit me sëmundje shoqëruese do jenë të parët që do ta bëjnë.

Sa i përket fazës së parë Brataj tha se, 10-20 % e popullsisë do e përfitojnë vaksinën duke nisur nga punonjësit e shëndetësisë, policia, mësuesit, që nuk kalojnë deri në 10%, pastaj 10% tjetër janë ata me sëmundje shoqëruese.

“Njerëzit me sëmundje shoqëruese do të jenë të parët. Të durojmë edhe një muaj, të mbrohen ata që kanë diabet, hipertension. Të mbrohen, sepse ata janë më të rrezikuarit. Ata që kanë patologji bashkëshoqëruese”, tha ai.

“Duhet të flasim me përqindje, 10-20% i garanton fashat në rrezik dhe shërbimet me publikun, shëndetësia, policia, ushtria, shkolla, arsimi. Gjithë kjo s’kalon 10% të popullsisë. Edhe për fatin e mirë nuk kemi një përqindje të madhe të të moshuarve. Kemi disa avantazhe. Po ashtu kemi qenë gjithmonë të vaksinuar”, tha Brataj.

 

Fraksion.com