Mblidhet në Mat me urgjencë Këshilli i Sigurisë; Kryebashkiaku Malaj: Situata me COVID-19 shqetësuese, të parandalojmë përhapjen
Në Bashkinë e Matit janë konstatuar persona të infektuar me COVID që lëvizin në vende publike, lokale, tregje, rrugë, farmaci, sheshe, etj, duke krijuar premisa për infektimin e qytetarëve. Këtë e ka deklaruar sot Kryebashkiaku i Matit Agron Malaj, i cili mblodhi me urgjencë Këshillin e Sigurisë për shkak se situata e krijuar nga pandemia është shqetësuese.
“Duam të dalim në ajër të pastër, është justifikimi i të infektuarve. Kjo nuk duhet të ndodhë. Policia e Shtetit dhe institucione të tjera duhet të jenë të vendosur për karantinimin e këtyre personave, sidomos kur ato janë në vende pune ku mund ta përhapin koronavirusin”, tha Malaj.
Mësohet se do të angazhohet edhe Policia Bashkiake për evidentimin e personave që shkelin rregullat e karantinimit dhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do të merren masa administrative dhe ligjore.
Sipas kryetarit të Bashkisë Agron Malaj administratorët dhe shërbimi social do të marrin të gjitha masat që personave të prekur t’u shërbehet në banesë. Aktualisht në Bashkinë e Matit janë aktiv me Covid-19 82 persona.
Fraksion.com